Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, për FrontOnline, ka shprehur shqetësim të thellë për nivelin aktual të bashkëpunimit diplomatik dhe politik mes dy vendeve, duke e cilësuar atë të papranueshëm dhe nën pritshmëritë historike. Në një deklaratë të fortë, ai ka kritikuar mungesën e vizionit të përbashkët dhe ka bërë thirrje për një qasje më të bashkuar në promovimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
“E pabesueshme se ku kemi lejuar të bien këto raporte. Politika e bën punën e vet, por diplomacia është përtej politikës, si interes jetik i shtetit. Kur bëhet fjalë për raportet e Kosovës me Shqipërinë, ato duhet të njohin vetëm zhvillim, jo paralel apo ndaras, por në një binar, me një vizion dhe synim të përbashkët,” theksoi ai.
Lladrovci, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të gjithanshëm, duke përfshirë fushat e arsimit, kulturës, tregtisë dhe duke sugjeruar që kufiri mes dy vendeve të jetë vetëm një vijë simbolike, pa pengesa. Megjithatë, ai kritikoi ashpër realitetin aktual.
“Letra duron gjithçka, por realiteti flet më shumë se letra. Personalisht jam tepër i pakënaqur. Po më qan zemra për këto raporte nënçmuese për çdo atdhetar,” tha ai.
Duke nënvizuar rolin historik të Shqipërisë për Kosovën në proceset e saj të arsimit, luftës dhe çlirimit, ish-ambasadori Lladrovci, u bëri thirrje politikanëve të dy vendeve të veprojnë me përgjegjësi.
“Shqipëria nuk është vetëm një shtet për neve, është më shumë se kaq. Pa Shqipërinë, ne kurrë nuk do të arrinim të arsimohemi, të luftojmë dhe të çlirohemi. Politikanët shqiptarë duhet t’i kenë mendtë në krye, që të mos mbeten turpi i historisë,” përfundoi ai.