
Një video incizim ku shihet një mjet për mbledhjen e mbeturinave jashtë çdo standardi në rrugët e Drenasit, është mjet i Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, ka theksuar kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
“Asnjë mjet pune nuk lejohet të marrë pjesë në komunikacionin publik pa qenë teknikisht i rregullt dhe i sigurt, pavarësisht natyrës së punës apo institucionit që e përdor”, ka theksuar Lladrovci duke shtuar se siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë mbi çdo justifikim operacional apo individual.
Postimi i Lladrovcit në fb:
Në lidhje me videon e publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen punonjës të Kompanisë Rajonale të Pastrimit duke qarkulluar me mjet pune në gjendje teknikisht të parregullt, sqarojmë si në vijim:
Kompania Rajonale e Pastrimit është ndërmarrje publike rajonale, e cila nuk menaxhohet nga Komuna, por funksionon në bazë të legjislacionit në fuqi dhe statutit të saj, nën përgjegjësinë e organeve kompetente në nivel qendror.
Veprimi i paraqitur në video përbën sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, pasi qarkullimi i mjetit me defekt teknik përbën rrezikim serioz të sigurisë në komunikacionin publik, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, si dhe me standardet e sigurisë teknike të mjeteve motorike.
Një veprim i tillë përbën:
• shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor,
• shkelje disiplinore,
• dhe shkaktim të dëmit material, me pasoja të mundshme edhe penale në rast rrezikimi të jetës dhe sigurisë publike.
Theksojmë qartë se asnjë mjet pune nuk lejohet të marrë pjesë në komunikacionin publik pa qenë teknikisht i rregullt dhe i sigurt, pavarësisht natyrës së punës apo institucionit që e përdor.
Nëse punonjësit në fjalë do të ishin nën përgjegjësinë direkte të Komunës, do të ishin referuar menjëherë në komision disiplinor dhe do të ishin sanksionuar në përputhje me ligjin, pa asnjë tolerancë.
Institucionet përgjegjëse pritet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për hetimin e rastit dhe marrjen e masave disiplinore dhe ligjore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
Siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë mbi çdo justifikim operacional apo individual.