
Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka ka deklaruar se çdo ardhje e pranverës zgjon në kujtesën kolektive të popullit shqiptar kujtime të rënda, të cilat ai i quan “lule me aromë gjaku”.
Sipas Llukës, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ngjarjet e tmerrshme të vitit 1999, plagët e asaj kohe mbeten ende të hapura. Ai theksoi se kampi i Bllacës ishte vazhdimësi e një gjenocidi të hershëm ndaj shqiptarëve, i cili mori përmasa apokaliptike, duke shënuar një shekull vuajtjesh dhe spastrimi etnik.
“Na ndajnë dy dekada, nga episodet e tmerr-it, të cilat nuk mbaruan as pas Luftës së Dytë Botërore. Kampi i Bllacës ishte vazhdimësia e një gjenocidi i cili mori formën apokaliptike, duke shënuar kështu një shekull rresht vuajtje dhe spas- trimi etnik ndaj popullit shqiptar. Sot, kur e kthejmë kohën pas është pothuajse e pamundur të mendohet ajo katastrofë humanitare, që u ngjiz në Kontinentin e lashtë evropian. Pas kampeve të përqendrimit ndaj hebrenjve, u tha ‘kurrë më’ s’do të lejohet diçka e tillë. Por vula e kësaj djallëzie, kaloi mbi trupa shqiptarësh, të cilët në frymën e fundit po kërkonin shpëtimin, së paku të vdisnin me dinjitet”.
Siç tha Lluka në kufirin e Bllacës, po gërshetoheshin, dy epoka të ndryshme.
“Viti 1999, po përmbyllte një cikël ku çnjerëzoret kishin triumfuar me vellon e saj të zezë, e që po gëlltiste trupa të gjallë, pa moshë e përtej moshës. Prapa këtyre trupave që ishin çnjerëzuar, po mbeteshin tokat e stërgjyshërve, ëndrrat, kujtimet, lotët, lindjet, dashuritë dhe varret. Po mbesnin luftëtarët të cilët deri në frymën e fundit, patën vullnetin t’i kthenin pushkën njërës ndër ushtritë më të fuqishme në Evropë, por që kjo e fundit veç luftë burrash nuk bënte. Ishin hiena që donin me çdo kusht zhdukjen nga kjo tokë të një populli të tërë, vetëm pse ky popull ishte shqiptar”.
Ndërkaq sipas Llukës pas dëbimeve masive dhe të gjenocidit në kampin e Bllacës ku mbi 440.000 shqiptarë përjetuan gjëra të tmerrshme nga milicia e Serbisë po edhe e Maqedonisë, Qeveria e Kosovës mori vendim për ngritjen e memorialit të gjenocidit serb me propozim të Shoqatës për Kthimin e të Shpërngulurve dhe të Institutit për Mbrojtjen e Vlerave Historike të shqiptarëve të Maqedonisë.
“Barra kryesore na ra neve, disave që të merremi me ngritjen e këtij Memoriali dhe ishte problematike gjetja e trenit që kishte bartur të dëbuarit po me ndihmën e Hekurudhave të Kosovës u zgjidhën shumë probleme. Gjatë punës për të shënuar 20 – vjetorin e dëbimit, nuk kishte shumë kohë dhe nuk kishte infrastrukturë rrugore deri te fushë gropa e tmerrit, por së bashku me komunën e Hanit të Elezit projektuam rrugën dhe trasenë për vendosjen e trenit edhe atë nga ana tjetër e Lepencit. Për herë të parë, mbas 20 viteve është shënuar dita e dëbimit dhe gjenocidit. Po ashtu, për 25 – vjetorin është menduar që t’i dëgjojmë rrëfimet dhe përjetimet dhe t’i grumbullojmë në një libër që të mos harrohen tmerret e jetës në kampin e Bllacës, ku ka pasur vdekje dhe lindje. U deshën shumë hulumtime për varrezat, po ashtu edhe një vlerësim”, tha Lluka
Ai theksoi se për herë të parë, pas 20 vjetësh, u shënua zyrtarisht dita e dëbimit dhe gjenocidit, ndërsa për 25-vjetorin është planifikuar mbledhja e rrëfimeve të të mbijetuarve në një libër dokumentues.
“Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe adekuat për vullnetarët që ndihmuan që projektet për shfarosjen e një populli të dështojnë, pasi që kufiri ishte ndarje e një populli të një gjaku e një gjuhe dhe të dëbuarit morën ndihmën e nevojshme humanitare nga vëllazëria e tyre. Pas rrëfimeve, vinë në rrudhë hulumtimi i familjarëve sikur rasti i familjes Kastrati që ju kishte vdekur djali 4 muajsh e në rrëfimin e parë ishin nga Sllatina pasi që në Sllatinë nuk kishte Krasniq, vendosëm me Dibranin e Daimin të shkojmë në Saraj të Shkupit e ta gjejmë varrin e djalit nga Kosova”.
Ai shtoi se me ndihmën e organizatës humanitare “El Hilal” u siguruan listat e të dëbuarve, çka e lehtësoi kontaktin me të mbijetuarit e kampit.
Sipas tij, shumë prej tyre fillimisht ngurronin të flisnin për dhunën dhe vuajtjet e përjetuara.
“Ky hulumtim na hapi rrugën për ta gjetur edhe familjen e ‘Djalit nga Kosova’ ashtu si ja kishin lënë emrin në atë kohë qytetarët e Sarajit. Ky rast na shtyri që të hulumtojmë edhe raste të tjera me ndihmën e ‘El Hilalit’ arritëm t’i sigurojmë listat e të dëbuarve dhe tani e kishim ma lehtë për të biseduar me ata qytetarë që kishin kaluar nëpër ferrin e kampit të gjenocidit. Disa me habi më shtronin pyetje, nga i keni informatat, disa besa ngurronin edhe për të dhënë deklarata për dhunën dhe vuajtjet që kishin përjetuar. Pas një pune të palodhshme të ekipit, arritëm të kemi rrëfime të shumë njerëzve deri edhe të Ambasadorja e UNICEF Vanesa Regrave një personalitet i njohur në botën e artit. Ky është vëllimi i parë dhe shpresojmë që për vëllimet tjera, institucionet adekuate do të kenë mirëkuptim dhe të përkrahin iniciativën për hulumtimin dhe grumbullimin e deklaratave dhe të bëhet po ashtu një video-incizim që një ditë do t’i kemi në arkivat e shtetit pasi që pastrimi etnik dhe projekti për asgjësimin e një populli duhet të gjykohen dhe të dënohen nga akterët e drejtësisë ndërkombëtare për gjenocid”, tha ndër të tjera Lluka. /Telegrafi/