Ish-ministri i Ekonomisë: Me tarifat e reja preken gjysma e popullsisë
Ish-ministri i Ekonomisë, Valdrin Lluka, ka folur çështjes së ngritjes së tarifave të energjisë elektrike.
Lluka tha se deri ky propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike ka ardhur, pasi që sipas tij, e gjithë bota po përballet me krizë energjetike dhe duhet të gjendet një mekanizëm zbutës i kësaj.
Ai tha se si shkak i kësaj krize, është një presion konstant tek rrjeti energjetik i Kosovës për të pasur ose rritje të çmimeve ose subvencionim më shumë.
“Forma e propozuar nga ZRRE është ndër format të pranueshme për të mos qenë barrë e disa prej konsumatorëve për më tepër. E pranueshme sepse, shumicës së konsumatorëve që nuk janë konsumues të mëdhenj të energjisë elektrike nuk i preken tarifat ose pak, kurse dëmtohen ata që janë konsumues më të mëdhenj, atëherë kjo do ta zbutë krizën për të gjithë qytetarët në vend”, është shprehur Lluka në Klan Kosova.
Lluka ka folur edhe për ndarjen e 75 milionë eurove nga ana e qeverisë për subvencionimin e energjisë, ku tha se nuk pajtohet me këtë ndarje, pasi sipas tij, këto para do të mund të shkonin në projekte që mund të gjenerojnë aktivitet ekonomik e jo për konsum konstant të energjisë.
Ai, gjithashtu tha se nga rritja e tarifave të energjisë do të preken mbi 50 për qind e popullsisë, e jo siç po thuhet, sipas tij, vetëm 25 apo 30 për qind e tyre.
“Përqindja e përdorimit nuk është reale, sepse ka shumë shtëpi që janë të pabanuara, ka shumë shtëpi që kanë pasur lëvizje nga fshatrat në qytete dhe nuk e paraqet gjendjen reale të tregut”.
“Mendoj që 400 deri në 600 KW janë shumë pak për dikë që ngrohet me rrymë, prandaj këtu preket një masë e madhe dhe jo siç thuhet diku rreth 25-30 për qind, por më shumë se gjysma e popullatës me këto tarifa të shtrenjta”, është shprehur Lluka.
Ish ministri i Ekonomisë, gjithashtu tha se nuk qëndron ajo që thuhet se qeveria dëshiron t’i ndihmojë KEDS-it, pasi sipas tij, kjo kompani ka mekanizma deri ku dhe çfarë mund të shpenzojë për të përballuar një krizë, e në rast krize si kjo e tanishmja, atëherë sipas tij, ndërhyn qeveria.
“Nuk qëndron ajo që qeveria po dëshiron që t’i ndihmojë KEDS-it, sepse në kohën kur jemi, KEDS-i ka disa mekanizma kontraktuale deri ku dhe çfarë mund të shpenzojë për ta përballuar një krizë, por kriza e tillë siç jemi tash kur nuk i dihet një fund, atëherë kompania në fjalë nuk mund t’i përballojë asnjë importi të energjisë elektrike që mund të ndikojë. Në këtë rast ndërhyn qeveria”, ka thënë ai.