Lluka: Mos të ishte Walker, Reçaku do kalonte si 406 masakrat e tjera

22:08 | 15 Janar 2024
lluka:-mos-te-ishte-walker,-recaku-do-kalonte-si-406-masakrat-e-tjera

Jahja Lluka, ish-anëtar i grupit punues në Institutin për Krimet e Luftës, deklaroi se Reçaku është dokumentuar ndërkombëtarisht falë ambasadorit të misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Lluka tha se nëse s`kishte me qenë një ambasador i guximshëm, si Walker, Reçaku kishte me kaluar si 406 masakrat tjera.

“Reçaku është dokumentuar ndërkombëtarisht falë William Walkerit. Sikur të mos kishte qenë një ambasador i guximshëm me siguri që kishte me kaluar edhe Reçaku si 406 masakrat e tjera”, theksoi Lluka.

Ai shtoi se Kosova është shumë vonë me grumbullimin e materialeve të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

“Kosova është shumë vonë me grumbullimin e materialeve të duhura për t’i akuzuar edhe nëse është nevoja në mungesë edhe pse është ligji në fuqi, ata njerëz duhet me dalë para drejtësisë, nuk po bohet aq sa duhet”, tha Lluka.

Njëra ndër masakrat më të rënda të luftës së Kosovës të 1998-99 që tronditi botën, ajo e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak të komunës së Shtimes, ka mbushur 25 vjet, por ende vetëm një person është shpallur fajtor për pjesëmarrje në kryerjen e saj nga gjykatësit e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK. (Teve1)

Komento: