LLuka tregron se kur do të bëhet përzgjedhja e ndërtuesit të TC “Kosova e Re” – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

LLuka tregron se kur do të bëhet përzgjedhja e ndërtuesit të TC “Kosova e Re”

17:34 | 26 Mars 2019

Kosova pritet të bëhet me një termocentral të ri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë të ditur sot, se gjatë muajit prill do të bëhet përzgjedhja e ndërtuesit të “Kosova e Re” dhe se Qeveria e Kosovës është duke përmbushur të gjitha obligimet e marra në lidhje me marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit.

Ai tha se aktualisht investitori Contour Global është në fazën e vlerësimit të ofertave për përzgjedhjen e kompanisë ndërtuese.

“Qeveria e Kosovës përmes komunitetit drejtues të projektit për implementimin e projektit “Kosova e Re” është duke vazhduar në përmbushjen e të gjitha obligimeve të marra, sipas marrëveshjes komerciale për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ju njoftoj që tashmë i kemi përmbushur pjesën më të madhe të obligimeve që ndërlidhen me fazën e para-fillimit të ndërtimit të termocentralit. Në koordinim të ngushtë me njësinë për implementimin e projektit, tashmë investitori Contour Global është në fazën e vlerësimit të ofertave për përzgjedhjen e kompanisë, e cila do të jetë përgjegjëse për inxhinierinë dhe ndërtimin e Kosovës së Re. Brenda muajit mars do të kemi raportin preliminar rreth kompanisë së preferuar për të ndërtuar termocentralin “Kosova e Re”. Ju njoftoj se investitori Contour Global ka pranuar ofertën nga dy kompani ofertuese…Brenda muajit prill do të bëhet përzgjedhja e ndërtues it të termocentralit, rrjedhimisht brenda një intervali të shkurtë kohor edhe fillimi i ndërtimit”, tha ministri Lluka.

Pas këtyre informatave sa i përket çështjes së investimeve për realizimin e këtij projekti, ministri Lluka është pyetur nga kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë se a ka ndonjë shqetësim sa i përket ecurisë së këtij procesi. Mirëpo, sqarimi i tij nuk është dëgjuar, pasi i njëjti ka ndalur mikrofonin.

Mirëpo, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj ka justifikuar këtë veprim.

“Ka në disa raste të dhëna që mund të ndërhyjnë në të drejtën e garës, që mos të paragjykohet dhe për këtë arsye ndodh që nuk e bëjmë publike, për arsye se mund të ndërhyjmë në procedurat e ngadhënjimit për investime. Mirëpo, ne i morëm informatat bazike se në çfarë etapash është procesi i investimeve. Në disa raste, jemi të obliguar për shkak të palëve të treta, jo për shkak neve, por për shkak të tjerëve”, është shprehur ai.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!