Logopedi që abuzoi me 3 vjeçaren autike kthehet në punë në QKUK

15:43 | 20 January 2023

Iljasa Fazliu, logopedi që abuzoi me 3 vjeçaren me autizëm është kthyer në punë në Klinikën e ORL-së, në QKUK.

Kthimi në punë i logopedit Fazliu është bazuar në vendimin e lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku i njëjti nuk ka dënim të formës së prerë.

Lajmin për Insajderi e ka konfirmuar zyra për media e QKUK-së.

“Në lidhje me rikthimin e tij në punë, ju njoftojmë se i njëjti është kthyer në punë vetëm si logoped në Klinikën e ORL-së, por jo u.d. shef i shërbimit. Komision Disiplinor vendimin e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I.F figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së dhënë Insajderit.

Skandaloz është fakti që rikthimi në punë i logopedit është bërë duke e ditur që i njëjti është në rilicencim, pasi nuk kishte licencë të logopedit nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

“Po ashtu, ka sjellë dëshminë nga Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndësore të Kosovës, Vëretetim, sipas të cilit është në procedurë të rilicencimit të tij nga data 5 janar 2023”, thuhet më tej në përgjigjen e QKUK-së

Logopedi, Iljasa Fazliu nga Gjilani ka abuzuar psiqikisht në ordinancën e tij një fëmijë 3 vjeçar të diagnostikuar me autizëm. Gazeta Insajderi kishte siguruar video incizimet ku i njëjti dëgjohet duke e sharë e ofenduar fëmijën teksa dëgjon të qarat e tij.

A.V (inicialet e së cilës janë ndryshuar nga redaksia) kishte kohë që po e dërgonte vajzën e saj 3 vjeçare në ordinancën logopedike AAR logo + në Gjilan. Insajderi kishte raportuar se nëna e kishte vërejtur se gjendja e vajzës që vetëm se përkeqësohej dita ditës.

Gazeta Insajderi kishte siguruar video incizime ku Fazliu dëgjohet duke e urdhëruar pacientin që të ndaloj së qari disa here me radhë.

”Plaq atje…Ik atje budallicë, ta q*ft bota nanen…ik aty… jepja bre topin q*ja nanen qaty… nalu ta q*ft dreqi nanen…çka po don çka, çka?… na e lodhe b**hen”, këto janë fjalët që dëgjohen në videon e siguruar

Logopedi Iljasa Fazliu , është i përfshirë edhe në një skandal tjetër. Gazeta Insajderi kishte raportuar se si kryesues i Komisionit për Licencim të Logopedëve kishte lëshuar 4 licenca të punës në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në pozita e kryesuesit të Komisioni për Licencim të Logopedëve, Fazliu dyshohet se ka lëshuar licenca kundër rregullave të parapara me legjislacioni në fuqi. Vetëm me tre muaj praktik profesionale, ai u ka lëshuar licenca të punës katër logopedëve, shkruan Gazeta Insajderi.

Blenda Halilin, Rinor Vrajollin, Vlera Salihajn dhe Kreshnik Bibajn janë logopedët të cilët u pajisën me licenca të punës pa përfunduar stazhin pasdiplomik në kohëzgjatje të plotë prej gjashtë muajsh. Ata kishin vijuar vetëm 3 muaj praktikë profesionale.

Komento: