Për shkak se lojtarët janë me koronavirus, është anuluar ndeshja e shumëpritur.
Anulohet miqësorja e ekipit Kombëtar Shpresa me Slloveninë, që ishte planifikuar të zhvillohej ditën e enjte datë 8 tetor ora 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se disa prej lojtarëve të skuadrës së Sllovenisë U-21 kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Si rrjedhojë, Federata Sllovene pas konsultave me FSHF-në ka vendosur, që skuadra të mos udhëtojë drejt Shqipërisë për miqësoren si masë paraprake për të ruajtur shëndetin e lojtarëve.
Pas anulimit të kësaj ndeshjeje, u vendos që Kombëtarja U-21 të luajë me Apoloninë më datë 8 tetor 2020 në ora 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Gjithashtu, është rënë dakord që ekipi Kombëtar Shpresa të zhvillojë edhe një miqësore tjetër të shtunën, datë 10 tetor ora 16:00 me Tiranën. Ky takim do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”.