
Duket se tashmë do të fillojnë largimet nga Barcelona.
Skuadra e Barcelonës ka luajtur një sezon shumë të mirë, por që në xhirot e fundit u kthye në më të keqin të mundshëm.
Katalanët kanë arritur që të triumfojnë në La Liga, duke e mbyllur sezonin me 19 pikë më shumë sesa Real Madrid, por në Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve gjërat nuk shkuan sipas planeve.
Fillimisht, në ‘Anfield’, Liverpool e demoloi skuadrën e Ernesto Valverde, duke e mposhtur me rezultatin 4:0 për t’ia ndërprerë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve.
Kurse,vikendin e kaluar, Barcelona u mposht nga Valencia në finalen e Kupës së Mbretit, për ta bërë sezonin të duket i dështuar.
Kështu, ndryshime të mëdha pritet të ndodhin në kampin ‘Blaugrana’, ku sipas medieve spanjolle, do të largohen disa emra, përfshirë edhe trajnerin.
Sipas ‘Sport’, lojtari i parë i cili do të largohet nga Barcelona do të jetë braziliani Malcom, transmeton lajmi.net.
Destinacioni i tij më i mundshëm është Premierliga. Nuk dihet nëse transferimi i tij do të jetë në formë huazimi apo permanente.
Një nga skuadrat që ka shfaqur interesim për të pasur shërbimet e anësorit është Tottenham Hotspur.