Rusia mund ta pushtojë Ukrainën nga çasti në çast.
Ngritja masive ushtarake mund të jetë një blof, ose dredhi politike e krijuar për një audiencë ruse.
Pse Rusia po kërcënon se do ta pushtojë Ukrainën?
Zëdhënësit rusë çdo ditë mohojnë ndonjë qëllim për pushtimin e Ukrainës. Kështu bëri edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kur takoi liderin francez, Emmanuel Macron, gjatë javës së kaluar, dhe kur foli me presidentin e ShBA, Joe Biden (përmes telefonit). Ka dy probleme këtu. Së pari, duke pasur parasysh raportin Johnsonian të Putinit me të vërtetën, pak qeveri përndimore i besojnë mohimet e tij. Së dyti, Putini nuk ka shpjeguar pse, nëse synimet e tij janë paqësore, më shumë sesa gjysma e forcave të armatosura të Rusisë, duke përfshirë 13 mijë trupa, janë grumbulluar në kufijtë e Ukrainës. Gjithçka mund të jetë një blof. Por, kush do të vinte bast për këtë?
Çfarë po e nxit Putinin?
Ka shumë teori. Thuhet se Putini synon të rindërtojë një sferë të ndikimit rus në Evropën Lindore, duke përfshirë ish-republikat sovjetike si Estonia, Letonia, Lituania, Bjellorusia, Gjeorgjia e Ukraina. Ai është ankuar shpesh për ‘humbjen’ e tyre pas rënies së Bashkimit Sovjetik, përkthen lajmi.net. Putini mund të shpresojë gjithashtu t’i demonstrojë perëndimit (por edhe rusëve) se vendi është ende një superfuqi, edhe pse nga shumica e masave (stoqet e armëve bërthamore dhe gjeografia veçmas) ai është një fuqi e mesme e dështuar.
Pse Ukraina?
Putin frikësohet nga rëndësia gjeografike e Ukrainës, që komandon krahun jugperëndimor të Rusisë, po asimilohet në perëndim. Ai kundërshton afërsinë e saj në rritje me NATO-n. Ai gjithashtu kundërshton zhvillimin e lidhjeve të Kievit me BE-në. Më keq akoma, nga këndvështrimi i tij, Ukraina është një demokraci, me fjalë të lirë dhe media të lirë, e cila zgjedh lirshëm liderët e saj. Në praktikë, rusët nuk gëzojnë liri të tilla – nëse do të ndiqnin shembullin e Ukrainës, Putini nuk do të zgjaste shumë. Më gjerësisht, Putini është një revizionist nostalgjik që e konsideron Ukrainën si një pjesë integrale të Rusisë historike dhe humbjen e saj si një simbol të humbjes së Rusisë në luftën e ftohtë.
Pse tani?
Putin mund të ndiejë dobësinë perëndimore. NATO u poshtërua vitin e kaluar në Afganistan dhe Joe Biden, i cili bëri fushatë për t’i dhënë fund luftërave, jo për t’u përfshirë në të reja, ka rifokusuar politikën e jashtme amerikane dhe burimet ushtarake në Kinë, jo në Evropë, përkthen lajmi.net. Gjithashtu sugjerohet se Putinit i duhet një fitore e madhe për të shtyrë mbështetjen e tij të brendshme, për të shfajësuar politikat e tij antiperëndimore, për të justifikuar korrupsionin e shfrenuar të regjimit dhe kleptomaninë, dhe për të justifikuar vështirësitë që rusët durojnë si rezultat i sanksioneve perëndimore të vendosura pas sulmit të tij të parë në Ukrainë, në 2014. Ishte atëherë kur ai aneksoi Krimenë dhe mori de facto kontrollin e rajonit lindor të Donbasit.
Cilat janë kërkesat e Putinit?
Për t’i dhënë fund bllokimit (ndoshta), Putini dëshiron që NATO të premtojë se kurrë nuk do të pranojë Ukrainën (ose Gjeorgjinë dhe Moldavinë) si anëtare. Ai dëshiron që aleanca të tërhiqet nga vendet e “vijës së parë” si Polonia, Rumania dhe Bullgaria, ish-anëtare të Paktit të Varshavës. Ai dëshiron që Kievi të pranojë statusin autonom për rajonin e Donbasit dhe të heqë dorë nga pretendimi i tij ndaj Krimesë (si pjesë e të ashtuquajturave marrëveshje të Minskut). Ai dëshiron të kufizojë ose të ndalojë dislokimet në Evropën Lindore dhe Jugore të raketave të reja amerikane me rreze të mesme veprimi. Akoma më ambicioz, ai dëshiron të ridizajnojë “arkitekturën e sigurisë” të Evropës, për të rivendosur ndikimin e Rusisë dhe për të zgjeruar shtrirjen e saj gjeopolitike. Për shumicën e kësaj, SHBA thotë “jo”. Prandaj kjo krizë aktuale.