“Lufta hibride” e Kurtit me gazetarët, pse?

19:08 | 03 December 2024
“lufta-hibride”-e-kurtit-me-gazetaret,-pse?

Ashpërsimi i gjuhës së Kryeministrit Albin Kurti ndaj gazetarëve “pritet të rritet”: Po mundohet t’i diskreditojë në mënyrë që kritikat e tyre të mos kenë vlerë në opinion.

Intensifikimi i sulmeve ndaj mediave ditëve të fundit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas gazetarëve po ndodh meqë Qeveria po mundohet t’i diskreditojë gazetarët për shkak se kanë nxjerrë në vazhdimësi skandale dhe keqpërdorime të ndryshme, teksa ngrisin alarmin se gjuha do të ashpërsohet edhe më shumë me afrimin e zgjedhjeve.

Në ditën kur vendi u përballë me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, kryeministri Kurti, pa treguar se pse shteti nuk arriti ta parandalojë sulmin, gjeti kohë për t’i porositur qytetarët që mos t’iu besojnë mediave të cilat sipas tij janë bërë pjesë e “luftës hibride” ndaj Kosovës, teksa tri ditë më vonë për studiot televizive tha se janë në pronësi të “oligarkëve”.

Në prizmin e kryeredaktorit të Televizionit “T7”, Arsim Lanit, jo vetëm kohëve të fundit, por që nga ardhja në pushtet Kurti dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje që udhëhiqet nga ku i fundit, kanë ashpërsuar gjuhën ndaj mediave të cilët i kanë parë si “kundërshtarin” më të madh, teksa shton se Kurti dhe LVV-ja kanë një arsyeje pse po e bëjnë këtë.

“Kurti është munduar ta godas median dhe gazetarët, t’i diskreditojë ata, në mënyrë që më pas kritika e tyre të mos ketë vlerë në opinion. Por, nuk ia ka arritur. Kjo ka bërë që në fund të mandatit të tij katër vjeçar, Kurti ta barazojë rrezikun nga Serbia me rrezikun që paraqesin gazetarët në Kosovë. Kjo u pa edhe në natën e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, kur më shumë foli për gazetarët sesa për armikun e vërtetë – Serbinë”, tha Lani në një bisedë për Albanian Post.

Megjithatë, ai insiston që gazetarët nuk janë rrezik për Qeverinë e Kosovës siç pretendon Kurti, meqë potencon se mediave në Kosovë duhet “t’i frikësohen hajnat e Qeverisë”, që sipas tij, fatkeqësisht janë me bollëk.

“Kujtoni skandalet e ministrit të Bujqësisë Faton Pecit me grantet dhe aty mund ta kuptoni pse pushteti i urren gazetarët”, ka nënvizuar gazetari Lani.

Në këndvështrimin e profesorit në Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinë, Alban Zenelit, nëse lidhemi në diskursin që e përdorin politikanët në Kosovë, sidomos Qeveria në lidhje me termin “luftë hibride” në kuadër së cilës ata mundohen t’i paraqesin disa prej mediave dhe opininostëve si pjesë e kësaj lufte, në fakt kjo sipas tij “është e pavërtetë”.

“Qëllimshëm po përdoren terme të tillë për t’i lidhur kritikët e Qeverisë me Serbinë, lidhje e cila nuk qëndron për faktin se kritikat ndaj Qeverisë janë shfaqur gjithmonë dhe njëra nga funksionet gazetarisë në shoqëri dhe medias është kritika dhe kontrolli. Duhet të bëjmë të qartë diçka, Serbia bën luftë hibride në Kosovë, por ajo është punë e Serbisë dhe jo intervenim i saj në sferën e informacionit tonë”, potencoi Zeneli.

Zeneli mendon se Serbia i ka target qytetarët serbë lokalë të cilët dëshiron t’i mbajë të pa integruar në institucionet e Kosovës, meqë shpjegon se kjo është narrativa kryesore që mundohet ta shtyjë Qeveria e Serbisë në Kosovë.

“Mediat në Kosovë janë duke kryer punën e vet në kuptimin e informimit në lidhje keqpërdorimet dhe dyshimet për korrupsion. Kjo pjesë nuk lidhet aspak me atë që qeveria mundohet ta prezantojë si ‘luftë hibride’. Gjuha kundër gazetarëve në Kosovë do të rritet me afrimin e zgjedhjeve”, shtoi.

Ndërkaq në sytë e drejtorit të mediumit “FrontOnline”, Lavdim Hamidit, përgjatë katër vite qeverisje, Kurti dhe eksponentët e lartë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar me një qasje të tillë negative ndaj mediave, kryesisht për shkak se këto të fundit kanë nxjerrë në vazhdimësi skandale dhe keqpërdorime të ndryshme që kanë ndodhur në dikastere të ndryshme qeveritare.

“Nuk ka shpjegim tjetër se si ky lider politik sa ishte në opozitë organizonte protesta pas skandaleve që i publikonin mediat, ndërsa në kohën kur po udhëheq me Qeverinë e vendit i sulmon mediat e njëjta, përderisa zyrtarët e dyshuar për korrupsion, të cilët në të shumtën e rasteve janë nga partia e tij, i merr në mbrojtje”, pohoi ai për AP.

Prandaj, sipas Hamidit, ky është një shembull i keq i qeverisjes, sidomos nga një lider dhe një subjekt politik që në të kaluarën premtonte udhëheqje me “duar të pastra”, ndërsa gjatë katër viteve të fundit e kanë dëshmuar të kundërtën.

“Se në Kosovë ka korrupsion të lartë e thonë edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare, prandaj skandalet e shumta korruptive e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Albin Kurtit si kryeministër dhe bashkëpartiakëve të tij”.

Ndryshe, Organizata “Reporterët pa Kufij” ka publikuar Indeksin vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit, ku Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”.

Ajo në raportin për vitin 2024 është radhitur e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar kur ishte listuar e 56-ta.

Gjatë këtij viti Kosova është notuar me notën 60.19 në krahasim me vitin e kaluar ku kishte grumbulluar plotë 68.38 pikë. Gazetarët, siç thuhet në raport, vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

Komento: