Dogana e Kosovës ka marrë një vlerësim të rëndësishëm nga Organizata Botërore e Doganave (WCO) për kontributin ë saj aktiv në Operacionin TENTACLE 2024, një nismë ndërkombëtare e fokusuar në luftën kundër krimit transnacional, trafikimit të paligjshëm dhe financimit të terrorizmit.
Nëpërmjet një komunikate për media thuhet se në kuadër të këtij operacioni, Dogana e Kosovës ka luajtur një rol domethënës përmes veprimeve të koordinuara, shkëmbimit të informacionit dhe zbatimit të masave parandaluese, duke ndihmuar në identifikimin dhe ndalimin e rrjeteve kriminale.
Rezultatet e operacionit tregojnë përkushtimin e Kosovës në përpjekjet globale për siguri dhe sundim të ligjit.
“Ky vlerësim nga WCO konfirmon angazhimin e Doganës së Kosovës për forcimin e integritetit, transparencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vijuar rolin e saj në rritjen e sigurisë kufitare dhe mbrojtjen e shoqërisë nga kërcënimet kriminale, duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një mjedis tregtar të ligjshëm dhe të sigurt”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.