Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, ka bërë që shumë çmime të produkteve të rriten.
Një valë e re çmimesh nga tregjet e huaja është paralajmëruar të godasë edhe ekonominë në Kosovë, nëse lufta Rusi-Ukrainë do të zgjasë.
Çmimet e naftës dhe të gazit tashmë janë në rritje, nga frika se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë ndërprerje apo çrregullime në furnizime.
Që nga dita e premte, çmimet e derivateve në vend janë ngritur për 0.6 centë në litër.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” se çmimet tashmë kanë shkuar deri në 1 euro e 42 centë dhe mund të arrijnë deri në vlera rekorde në 1 euro e 60 centë për litër naftë.
“Sa i përket çmimeve të derivateve kuptohet se Ukraina dhe Rusia kanë ndikuar. Kjo luftë e tmerrshme e cila është duke ndodhur për fat të keq ka ndikuar edhe në sektorin e naftës. Çmimet janë rritur në mënyrë ekstreme.
Vetëm mbrëmë kemi pasur rritje 60 dollarë në ton. Çka do të thotë se rritja e çmimeve nuk po ndodhë vetëm tek ne në Kosovë, por në tërë botën. Çmimet sot aktualisht sillen nga 1.31 centë deri 1.40 centë për naftë, benzina deri 1 euro e 42 centë.
Trendi i çmimeve kështu siç po ndodhë do të arrijë deri në 1 euro e 60 centë për litër naftë. Kjo te ne kur ndodhë, ky çmim në Shqipëri, Serbi dhe në shtet në regjion do të bëhet mbi 2 euro”, ka thënë Berjani në një prononcim për Reporteri.net.
Përpos çmimit të naftës në Kosovë është paralajmëruar se mund të ketë shtrenjtim edhe të disa produkteve të tjera esenciale, duke përfshirë edhe çmimin e miellit.