
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimit të derivateve.
Sipas saj, rritja erdhi “si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme”, duke reflektuar presionet e tregjeve ndërkombëtare në tregun vendor.
“Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme”, thuhet në njoftim.
Vendimi pason mbikëqyrjen e vazhdueshme të tregut dhe analizimin e evidencave ditore nga Dogana e Kosovës. Raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë konstatuar se rritjet nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes.
Sipas vendimit, marzha maksimale në shitjen me shumicë do të jetë deri në 2 eurocentë për litër. Në shitjen me pakicë, marzha e lejuar do të jetë deri në 12 eurocentë për litër.
“Inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin”, theksohet në njoftim.
Vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe shkeljet do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.