Lukaku shënoi gol, reagimi i Ibrahimoviçit ka marrë gjithë vëmendjen

11:33 | 22 Shkurt 2021

Mënyra sesi Romelu Lukaku e festoi golin e shënuar në fitoren e Interit 3:0 kundër Milanit i ka pushtuar ballinat e mediave italiane dhe ka nxitur debat nëse britmat e sulmuesit belg ishin në drejtim të Zlatan Ibrahimovicit.

Lukaku e shënoi golin e tretë për zikaltrit në pjesën e dytë të derbit të Milanos të dielën në San Siro, transmeton Express.

Ky ishte takimi i parë mes belgut dhe Ibrahimovicit pas përleshjes që e patën në Kupën e Italisë në janar.

Lukaku festoi duke e drejtuar gishtin kah vetja dhe bërtiti në drejtim të bashkëlojtarëve që po vraponin drejt tij.

“Jam unë, jam unë, unë jam më i miri”, ka thënë ish-ylli i Manchester Unitedit gjatë festimit.

Sipas gazetave italiane La Gazzetta dello Sport dhe Il Corriere della Sera, Lukaku nuk po i referohej Ibrahimovicit drejtpërdrejt.

“Ai bërtiti në drejtim të qiellit dhe nuk po i adresohej Ibrahimovicit drejtpërdrejt, por mesazhi ishte për të”, sipas Il Corriere della Sera.

Sipas disa mediave të tjera, Lukaku bëriti “Dio, Dio (Zot, Zot), e jo “Io, Io (Unë, unë), edhe pse ai e drejtoi gishtin kah vetja për të nënvizuar se kishte shënuar gol.

Komento: