Luksi me para të qytetarëve të zyrtarëve publik me telefona

16:25 | 28 March 2019

Institucionet u mëshojnë telefonave me para të qytetarëve.

Zyrtarët e lartë shtetërorë nuk po ndalin luksin, duke shfrytëzuar paranë publike.

Shpenzimet për luks nuk kanë të ndalur në Qeverinë e Kosovës. Blerja e telefonave të mençur nga buxheti i shtetit, tashmë është kthye në një lloj tradite në institucionet shtetërore. Për çdo vit, institucionet shpenzojnë me mijëra euro për këtë qëllim. Të fundit që kanë blerë telefona me para të qytetarëve janë Ministrja Hoxha, dhe gjashtë gjyqtarët e Kushtetueses. Ndërkohë, që tender për furnizim me telefona ka shpallur edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Vetëm një javë pasi që personeli i zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kishin filluar punën, ata ishin shpërblyer me nga një “dhuratë”.

I pari i Qeverisë kishte vendosur që ta pajisë personelin me nga një telefon të mençur. Madje, vetëm për të furnizuar stafin me këta telefona, ai ishte treguar goxha dorëlirë.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thuhej që Zyra e Kryeministrit kishte planifikuar t’i shpenzojë fiks 8 mijë euro për këtë qëllim, derisa i gjithë procesi ishte paraparë që të përfundonte brenda 10 ditësh.

“Kohëzgjatja: 10 Ditë pas nënshkrimit të kontratës. Fillimi: 05.10.2017 Përfundimi : 15.10.2017”, thuhej në njoftimin e publikuar në KRPP.

Stafi i Zyrës së Kryeministrit ishin furnizuar 14 telefona, smartphone të fjalës së fundit. 3 ‘iPhone 7’ dhe 11 ‘Samsung A5’ të vitit 2017.

Blerja e këtyre telefonave nga ekzekutivi ishte kritikuar fort nga shoqëria civile e njerëz të politikes. Por, në Qeverinë e Kosovës ishin arsyetuar duke thënë se blerja e telefonave të mençur ishte e domosdoshme.

“Telefoni celular sot konsiderohet mjet pune për një profil të caktuar të punonjësve në Kryeministri dhe jo mall luksi siç pretendoni ju. Prandaj është vendosur, që në përputhje me normat e prokurimit publik, të shpallet tender për 14 telefona celularë, me të cilët do të pajiset stafi për komunikimit publik dhe ai politik”, thuhej në një sqarim të zyrës së Kryeministrit për Gazetën Express dhënë muaj më parë.

Por, blerja e telefonave të mençur nga Zyra e Kryeministrit nuk përfundon këtu.

Pak muaj pas kësaj blerje, ishin blerë edhe dy telefona të tjerë, njëri në vlerë prej 890 eurosh dhe tjetri 780 euro. Blerjet kishin vazhduar gjatë tërë vitit.

Derisa gjatë shtatorit të vitit të kaluar, po kjo zyrë kishte shpallur edhe një tender tjetër për furnizim me një telefon të mençur -iPhone.

Në njoftimin e bërë në KRPP nuk ishte treguar se kujt po i blihej ky telefon, vetëm ishte treguar se ai kushton jo më pak se 890 euro.

“Zyra e Kryeministrit. Furnizim me Iphone Numri i tenderëve te përgjegjshëm: (3 ). Fituesi i tenderit është kompania “MOBI GEGA”. Vlera e përgjithshme e kontratës: € 890.00”, thuhej në njoftimin e publikuar në KRPP.

Në fund ishte treguar se kontrata mes kompanisë fituese dhe zyrës së kryeministrit është nënshkruar më 05.02.2018.

Në po të njëjtin muaj, tender për furnizim me telefona kishte shpallur edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

MAPL’ja kishte blerë një telefon “Samsung S8” me vlerë prej 700 eurove.

Sipas Zyrës për Informim të MAPL’së, ky telefon ishte blerë për nevoja të kabinetit të ri të ministrit.

Po atë vit, edhe një prej shumë zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj kishte mbetur pa telefon. Telefoni që kishte shfrytëzuar deri atëherë i ishte prishur, derisa për punë komunikonte me telefonin e bashkëshortes së tij.

Zëvendësministri në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Hamza Bale edhe pse ka një pagë mujore në vlerë prej më shumë se 1 mijë euro, telefonin kishte kërkuar që të ia blente Ministria ku punonte.

“Jo, nuk kam telefon. Po e kam kërku një të thjeshtë, po ende nuk e kam marr. Ju njoftojmë sapo ta marr”, kishte thënë Bale.

E ndërkohë telefoni i “thjeshtë” që kishte kërkuar zëvendësministri Balje kapte një shifër prej hiq më pak se 680 euro.

Blerjet e telefonave me para të shtetit ka vazhduar edhe gjatë këtij viti.

Vetëm për këtë qëllim nga fillimi i vitit 2019 e deri tani, janë shpenzuar me mijëra euro nga “kuleta” e shtetit.

Të fundit që kanë blerë telefona të mençur me para të qytetarëve janë Dhurata Hoxha dhe gjyqtarët e Kushtetueses. Ndërkohë, një “investim” të tillë po planifikon që ta bëjë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, në krye me Rasim Demirin.

Dhurata Hoxha ka rreth një javë që është pajisur me telefon të ri. Madje, jo të çfarëdo lloji. Vetëm për telefonin e Hoxhës, janë shpenzuar afër 1 mijë euro nga buxheti i shtetit më të varfër në rajon.

E se ky telefon është blerë për Ministren Hoxha, e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Zëdhënësi për media në MIE, Gëzim Dushi i ka thënë Express se Hoxha po ka nevojë për një telefon të tillë për të kryer punët e përditshme.

“Telefoni mobil është planifikuar të blihet për nevojat e Kabinetit të Ministres, në bazë të planifikimeve me Planin e prokurimit dhe në bazë të udhëzimeve administrative që rregullojnë fushën për blerjet e tilla. Pasi që nga emërimi në post, Ministrja nuk është pajisur me telefon mobil, andaj është paraqitur nevojë për furnizim të tillë për kryerjen e punëve të përditshme”, ka thënë Dushi.

Përveç Ministres Hoxha, me telefona të rinj shumë shpejt do të pajisen edhe 10 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kushtetuesja do të shpenzojë 6 mijë 490 euro për blerjen e 10 telefonave mobil, që i bie 650 euro për secilin.

Kështu të paktën parashihet në kontratën e nënshkruar nga Gjykata të publikuar në faqen zyrtare të Prokurimit Publik.

Për blerjen e këtyre telefonave, zyra e Prokurimit në Gjykatën Kushtetuese ka shpallur fituese kompaninë “Ero Group” në tenderin e quajtur “furnizim me aparate telefoni (smartphone)”.

Sipas të dhënave të nxjerra nga interneti, telefonat që ka porositur Gjykata Kushtetuese, janë të tipit iPhone 8.

Siç thuhet në kontratë, pajisjet duhet të jenë me 1 vit garancion me fletegarancion, po ashtu aparatet (smartphone) duhet të jenë identikë me specifikat teknike si në dosje të tenderit dhe se aparatet duhet të jenë të reja, të papërdorura.

Ndërkohë, investim në telefona të fjalës së fundit, po planifikon që të bëjë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, në krye me Rasim Demirin.

MZHR’ja po planifikon të blejë disa telefona fiks dhe disa telefona mobil. Më saktësisht është planifikuar të blihen 27 telefona.

E për këtë blerje Ministria e Zhvillimit Rajonal po parashikon të shpenzojë hiç më pak se 7 mijë euro.

Së paku kështu thuhet në njoftimin për kontratë që ka publikuar vetë Ministria në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Sipas dosjes së tenderit, telefonat mobil duhet të jenë “Android OS, v7.0, me ekran 5.8 inch Super Amoled dhe rezolucion 1440×290 pixels, dhe se duhet të kenë kamerë 12 MP Primary&8 MP Secondary”.

Ndryshe, pak para se të vinte në pushtet Qeveria Haradinaj, anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri e kishte quajtur të tmerrshme blerjen e telefonave luksozë nga zyrtarët e qeverisë.

“Kjo puna e telefonave është hajgare. Është e tmerrshme me ble telefona 850 euro. Kur se ki ti tondin personal, qysh e blen ti 850 euro telefon. Kjo është punë e tmerrshme. Këtu ka punë edhe për Prokurorinë”, kishte thënë Tahiri në një nga debatet televizive në zgjedhjet e qershorit.

Komento: