Lum Reali që e ka, Benzema arrin diçka historike

13:27 | 01 Prill 2019

Karim Benzema ka arritur diçka që pak futbollsitë mund të bëjnë.

Francezi shënoi ndaj Huescas në takimin e fundit që madrilenët kanë zhvilluar në kampionat dhe ky gol bën që sulmuesi t’u ketë shënuar zyrtarisht të gjithë rivalëve me të cilët është ndeshur.

Benzema ka pasur 34 kundërshtarë në La Liga që nga koha që është bërë pjesë e Realit të Madridit përpara një dekade dhe u ka shënuar absolutisht të gjithëve. I mungonin si “viktima” të tij Leganes dhe Huesca dhe keto dy ekipe e pësuan nga francezi në sezonin aktual.

Arritja historike e Benzemasë nuk është e lehtë, duke qenë se Messi u ka shënuar 37 nga 40 rivalëve me të cilët është përballur, duke mos mundur të gjejë rrjetën ndaj Cadiz, Murcias dhe Xeres, ndërsa Cristiano Ronaldo nga 33 rivalë u ka realizuar 32 ekipeve, duke mos e gjetur golin përballë Leganesit.

Rekordi i Benzemasë kalon dhe atë të Hugo Sanchezit, i cili shënoi një mori golash, por ndëshkoi 1 rival më pak se Benzema 33 nga 33, ndërsa francezi ka ndëshkuar 34 skuadra. As Raul nuk ka mundur ta arrijë këtë sukses të 31-vjeçarit, teksa mitiku me numrin 7 i madrilenëve e gjeti rrjetën ndaj 35 rivalëve nga 39 me të cilët u ndesh në kampionat gjatë karrierës së tij me Realin.

Pa etiketimin e goleadorit, emri i Benzemasë mbetet i shkruar në historinë e kampionatin spanjoll, madje edhe mbi emra të rëndësishëm, shënues të spikatur në Primera divizion.

Komento: