Abdixhiku pas takimit me Escobar: Kërkova partneritet strategjik me SHBA, Qeveria i degradoi raportet me amerikanët.
Lideri i LDK’së, Lumir Abdixhiku është pritur nga Gabriel Escobar, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, në Departamentin Ameriakn të Shtetit.
Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook, njoftoi se për çka kanë biseduar me Escobar, duke filluar nga gjendja e fundit e sigurisë në Kosovë, ku Abdixhiku përmendi edhe nevojën e koordinimit të ngushtë të Kosovës me ShBA’të.
“Në këtë drejtim, shtrova kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit.
Z.Escobar i prezantuam dhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat”.
Abdixhiku ka shprehur edhe shqetësimin e LDK’së për degradimin e raportit të institucioneve të Kosovës me Qeverinë amerikane.
“Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë.
Edhe një herë, u bëj thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë”.