Lumir Abdixhiku: Klinikat s’kanë penj e dorëza, Qeverisë i tepruan 1.3 milion euro të dedikuara për to

12:30 | 27 January 2023

Abdixhiku: Klinikat s’kanë penj e dorëza, Qeverisë i tepruan 1.3 milion euro të dedikuara për to.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me disa punonjës shëndetësorë, tha se sistemi shëndetësor është në pikën e thyerjes.

Ai tha se familjarët e pacientëve po detyrohen të blejnë mjetet higjienike bazike si penj, infuzione e dorëza.

“Mëngjesin e së premtes e nisa me punonjës shëndetësorë të cilët ma konfirmuan atë që të gjithë e dimë tashmë; sistemi ynë shëndetësor është në pikën e thyerjes. Klinika të tëra spitalore janë pa penj, pa dorëza, pa infuzione e pa mjete higjienike bazike. Pacientët, familjarët e tyre, duhet t’i sjellin ato me veti para operimeve e intervenimeve”.

Abdixhiku tha se edhe për pacientët me kancer, në përballjen e tyre për jetë, nuk ka barna. Ndërsa, shton se Qeverisë i kanë tepruar disa para edhe kur s’ka penj.

“Tani, kur kosto e jetës është e papërballueshme, ata duhet t’i blejnë ato vetë. Qeverisë, ndërsa, i kanë tepruar mbi 1.3 milion euro të dedikuara për barna e material bazik gjatë vitit 2022. Tepricë parash kur nuk ka as penj! Kjo gjendje është thjeshtë e papranueshme. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Komento: