Lumir Abdixhiku liston ‘dështimet dhe mashtrimet e Kurtit’

20:32 | 15 February 2023

Abdixhiku liston ‘dështimet dhe mashtrimet e Kurtit’.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një video-materiali ka listuar të gjitha ato që i ka quajtur mashtrime të Qeverisë Kurti.

Sipas LDK-së, Kurti ka dështuar t’i përmbushë zotimet e tij për shkak të paaftësisë, arrogancës dhe ngarkesës më të kaluarën. Derisa ekzekutivin, LDK e ka cilësuar të aftë vetëm për të prodhuar propagandë.

Partia e Abdixhikut ka paraqitur zotimin e pushtetit për ndërtimin e 160 çerdheve në Kosovë, duke potencuar se nuk është ndërtuar asnjë. Ajo ka përmendur edhe zotimin për ndërtimin e 4000 banesave për çifte të reja me 120 euro këst mujor, për çka s’është vendosur asnjë gurthemel për to.

LDK ka rikujtuar edhe ngritjen e çmimeve të produkteve bazike për plot 50%. Më pas është theksuar zotimi për sigurime shëndetësore deri në vitin 2022 dhe premtimin për përfundimin e rrugëve magjistrale nëpër Kosovë, e për çka kjo parti vlerëson se s’ka pasur asnjë lëvizje.

Tutje kjo parti i ka përmendur ekzekutivit edhe reciprocitetin e premtuar me Serbinë, duke kujtuar në anën tjetër importin në rritje nga Serbia. Krahas kësaj LDK nënvizon edhe rritjen e çmimit për energjinë dhe ikjen e të rinjve nga Kosova.

Pushteti nga LDK përmes kësaj video është kritikuar edhe për kapjen e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike si: RTK, BQK, AKP etj., dhe mbushjen e tyre me militantë.

Duke thënë se ky s’është ndryshimi që Kosova meriton, LDK ka premtuar se ditëve në vijim do të paraqesë planet konkrete që ofrojnë ndryshime konkrete në çdo fushë.

Komento: