Lumir Abdixhiku thotë se raportet e tij me Presidenten Osmani janë ftohur: Nuk jemi të afërt siç kemi qenë

09:08 | 24 Mars 2023

Abdixhiku: Raportet e mia me Presidenten Osmani janë ftohur, nuk jemi të afërt siç kemi qenë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se nuk ka raporte miqësore me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai në “Debat Plus”, ka thënë se raportet me të i ka vetëm institucionale, dhe se nuk e kanë afërsinë siç e kanë pasur në të kaluarën.

“Vetëm institucionale, nuk kam raporte të tjera, dhe janë të tilla. Kemi qenë shumë të afërt, por nuk jemi më. E respektoj presidenten e vendit”, ka thënë ai.

I pyetur se a i ka mbetur hatri, për shkak të afrimit të presidentes Osmani me kryeministrin, Albin Kurti, Abdixhiku ka thënë se “pjesërisht po”.

Abdixhiku, ka treguar se raportet me Osmanin janë ftohur kur ajo kishte propozuar t’i shtyjë zgjedhjet lokale, në kohën kur sipas tij LDK-ja qëndronte mirë.

“Pjesërisht po, por mendoj që ka pasur një moment gjatë zgjedhjeve lokale, që për bindjen time ka bërë diferencën kryesore sepse, për të shtyrë zgjedhjet në momentin kur LDK bënte mirë. Por, në politikë nuk jam për relacione personale, për relacione personale i kam miqtë e mi, e kam familjen time, dhe kam bashkëpunëtorët në LDK, ata i kam miq”, ka thënë ai.

Në pyetjen se “a ka vend në LDK, Vjosa Osmani, kur ta përfundon mandatin e presidentes”, Abdixhiku u përgjigj duke thënë se, LDK tashmë e ka rrugën e saj, dhe se nuk do ta harrojë asnjëherë se kush e ndihmoi dhe kush e pengoi në rrugën e saj.

“LDK e ka rrugën e vet tani, dhe do të mbajë mend shumë mirë LDK-ja, këtë po ua them, kush e ndihmoi dhe kush e pengoi në rritjen e saj. Nuk e di se si i bie, dhe për disa të tjerë që kanë vendosur që këto dy vite ta sulmojnë vetëm LDK-në, vetëm pse s’janë pjesë e vendimmarrjes, edhe për këta do të kenë të njëjtin trajtim nga LDK”, ka thënë ai.

Komento: