
Shefja e Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës foli për njehsorët elektrikë, duke thënë se qytetarët janë mashtruar.
Ajo tha se i është bërë padrejtësi qytetarëve.
“Do ta ngris një çështje tepër të rëndësishme për secilën familje të Kosovës. Një çështje që ka të bëjë me një mashtrim përmes një keq llogaritje të shpenzimit të energjisë elektrike. Kjo e prek secilin prej nesh dhe familjet tona. Është një padrejtësi që po bëhet për muaj apo vite me radhë. Derisa kemi dëgjuar qeverinë që u ka bërë thirrje qytetarëve ta kursejnë energjinë elektrike e të presin të shpenzojnë pas orës 22:00 për shpenzim të energjisë më të lirë, ne sot kemi parë që shumica e njehsorëve nuk e llogarisin saktë shpenzimin e energjisë dhe kjo çon tek llogaritja më e madhe dhe faturimi më i shtrenjtë për secilën familje të Kosovës.
Ky shqetësim është ngritur publikisht pas verifikimeve komplete në terren të dhjetëra njehsorëve elektrikë, të bëra në kuadër të angazhimit të anëtarit tonë Visar Azemi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këto verifikime del se një përqindje dërrmuese, pra mbi 87% e njehsorëve elektrikë e masin kohën gabimisht“, u shpreh ajo.
Lushaku theksoi se qytetarët janë mashtruar dhe se Qeveria nuk ka reaguar.
„Pra, qytetarët janë mashtruar. Qeveria u ka thënë: ‘Kurseni rrymën, shpenzoni në orët e natës’, derisa orët kanë keqllogaritur. Kjo është e vërteta e hidhur. Dhe pikërisht këtu lindin shumë pyetje: Si është e mundur që një problem i tillë të jetë kaq i përhapur dhe Ministria e Industrisë të mos ketë vepruar me kohë? Si është e mundur që qytetarët të kenë paguar për muaj të tërë, e ndoshta edhe për vite, fatura të padrejta me keq llogaritje dhe ministria e institucionet e tjera nuk janë thirrur për përgjegjësi?“, thotë ajo./EO