Lushaku – Sadriu: Arsimi me Kurtin është dorëzim dhe dështim

13:33 | 22 Mars 2024
lushaku-–-sadriu:-arsimi-me-kurtin-eshte-dorezim-dhe-deshtim

Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se gjendja në arsim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, është dështim e dorëzim.

Lushaku Sadriu tha se hedhja e barrë për keqqeverisje mbi supet e prindërve nuk është vetëm një akt i papranueshëm, por edhe një shfaqje e pastës e hipokrizisë.

“Sipas logjikës së Kryeministrit Kurti, trinomi i fajësisë për gjendjen e arsimit përfshin nxënësit, mësuesit dhe prindërit – por asnjëherë qeverisjen e tij të paaftë. Në tre vitet e tij në detyrë janë alokuar plot 370 milionë euro për arsimin. Përfundimi? As strategji, as vizion, e as zgjidhje konkrete për sfidat e përballuara”.

“Premtimeve për ndërtimin e qindra çerdheve u mungon realizimi; as pesë nuk janë ndërtuar në tre vite. Bibliotekat e reja? Janë vetëm një ëndërr e parealizueshme. Nismat për të rritur cilësinë e arsimit mungojnë plotësisht”, tha ajo.

Tutje, Lushaku Sadriu tha se në vitin e fundit të mandatit të Qeverisë Kurti, askush nuk mund të pretendojë se arsimi ishte prioritet i një qeverie që dikur i etiketoi qytetarët si “analfabetë të fshehtë”.

“Zhvillimi i vërtetë arsimor kërkon më shumë se fjalë të bukura; kërkon përkushtim të vërtetë, përditë dhe transparent”, shkroi ajo.

Komento: