Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, beson se mund të jetë lojë politike dhe inskenim pushteti ftesa për dëshmi nga Prokuroria Speciale e kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Lushtakut pushteti mund ta ketë bërë këtë në mënyrë që siç ka thënë ai ‘të viktimizohen dhe të mbulojnë dështimet që i kanë bërë gjatë katër viteve’.
Unë besoj që me të vërtetë është një lojë politike në këtë pjesë që ka mundësi që vet e ka inskenuar edhe pushteti vetëm e vetëm që të viktimizohen dhe të mbulojnë dështimet që i ka bërë gjatë katër viteve në përgjithësi dhe pastaj del e ankohet se shikoni çfarë po më bën mua drejtësia dhe opozita dhe kështu me rradhë”, ka thënë ai në Tëvë1.
Më tej ai ka shtuar se ky është vetëm një dyshim i tij për të cilin nuk ka as fakte dhe as indikator.
“Ky është më shumë një dyshim i imi dhe nuk kam as fakte dhe as indikator, por duke e njohur gjithmonë figurën e Albin Kurtit si politikan dhe si aktivist në përgjithësi vetëm me formën e viktimizimit ka ecur përpara dhe ka dashur të marrë edhe votën e qytetarit”, ka shtuar Lushtaku.
Kryeministri Albin Kurti është ftuar për dëshmi nga Prokuroria Speciale. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.