Lushtaku: Marshi i 17 shkurtit për çlirimtarët në Hagë meriton pjesëmarrjen e çdo qytetari

13:26 | 06 Shkurt 2026
lushtaku:-marshi-i-17-shkurtit-per-clirimtaret-ne-hage-meriton-pjesemarrjen-e-cdo-qytetari

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, sot kanë vizituar Komunën e Skenderajt dhe janë pritur nga kryetari Sami Lushtaku.

Ata kanë shprehur mbështetjen e tyre për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

“Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e drejtësisë së paanshme dhe për ndarjen e saj të qartë nga politika, në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të vlerave të luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar Tasholli.

Ndërsa Eliza Hoxha ka theksuar se përkrahja nga komunat dhe udhëheqësit lokalë po e fuqizon këtë kauzë qytetare.

“Mbështetja që po marrim nga kryetarët e komunave është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore dhe përfaqëson një interes të përbashkët qytetar”, u shpreh ajo.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur mbështetje të plotë për Marshin e 17 shkurtit dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare.

“Ky Marsh për drejtësi dhe për çlirimtarët tanë që po mbahen në Hagë meriton përkrahjen dhe pjesëmarrjen e çdo qytetari të Kosovës”, ka deklaruar Lushtaku

Komento: