
Nënkryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, pas kërkesës për thirrjen e Kuvendit të LDK-së dhe nismës së disa anëtarëve për mocion.
Haziri ka thënë se përplasjet politike brenda partisë duhet të trajtohen me qetësi, duke theksuar se beteja e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me nënshkruesit e mocionit duhet të mbetet çështje e brendshme mes tyre dhe votuesve.
“Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij”, ka shkruar Haziri.
Ai ka kritikuar, siç i ka quajtur, pozicionimet politike të disa figurave dhe aktivistëve, duke thënë se ato nuk i shërbejnë të ardhmes së LDK-së.
“Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së”, ka deklaruar ai.
Haziri ka thënë se partia duhet të reflektojë për gabimet e së kaluarës dhe të shmangë përplasjet e brendshme.
“Ma mirë me thanë na falni për gabimet e së kaluarës, se sa me vazhdu me gabime”, ka shkruar ai.
Sipas tij, LDK ka arritur sukseset më të mëdha kur ka qenë e bashkuar.
Postimi i plotë: