Lutfi Haziri flet në lidhje me atë se kush është “i vetmi” në LDK që guxoi t’i dalë Kurtit kundër

18:27 | 06 Tetor 2020

Kush është “i vetmi” në LDK që guxoi t’i dalë Kurtit kundër, flet Lutfi Haziri.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani dhe kryetari i LDK’së, Isa Mustafa kanë shkëmbyer një sërë akuzash sot gjatë ditës. Vjosa Osmani përmes një shkrimi në Facebook është përkujdesur që ta quajë mashtrues e recidivist Shefin e LDK’së.

Osmaninë statusin kushtuar Isa Mustafës në Facebook ka thënë se ai është humbës i shumëfishtë i zgjedhjeve dhe nuk ka guxuar të kandidojë për kryeministër kundër Kurtit përveç njërit në LDK duke mos përmendur emra.

Por a është Lutfi Haziri personi të cilit Vjosa Osmani nuk ia ka përmendur emrin, meqë kreu i Gjilanit edhe hapur para zgjedhjeve kishte treguar se është gati të garojë për kryeministër.

Për këtë gjë Express ka pyetur nënkryetarin e LDK’së nëse kryekuvendarja Osmani e ka pasur fjalën për të kur ka thënë se të gjithë në LDK me një përjashtim nuk kanë guxuar të përballen me Kurtin.

Haziri ka thënë shkurt se nuk e di çfarë ka menduar Osmani por që ai e ka mbështetur nominimin e saj për kandidate për kryeministre në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

“Nuk e di, pytne Vjosën çka ka mendu. Unë e kam mbështet nominimin e Vjosës”, ka thënë shkurt Haziri të martën.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa dhe kandidatja e para një viti për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani sot janë përplasur verbalisht duke akuzuar njëri-tjetrin për humbje të zgjedhjeve.

Isa Mustafa sot gjatë ditës ka thënë se Vjosa Osmani ia ka humbur zgjedhjet LDK’së duke u bërë kopje e Albin Kurtit.

Teksa, Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ndërkaq ia ka kthyer Mustafës duke e quajtur mashtrues, recidivist e bashkëpunëtor me kapësit e shtetit.

Komento: