Ia nxjerrin dy fotografi të vjetra, Lutfi Haziri përlotet në emision.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri nuk i ka përmbajtur lotët teksa i janë publikuar dy fotografi nga arkiva.
Në njërën prej tyre, ai shihet bashkë me vajzën e tij, Këngën, teksa atë foto ia kishin dërguar sa kishte qenë në qeli si i burgosur politik.
Për këtë ngjarje, bashkëshortja e tij, Mika tha se kjo foto është nga të paktat që i kanë mbetur për shkak se të tjerat ua kishin marrë pushteti i atëhershëm i Jugosllavisë.
“Në fotografinë e parë është Kënga kur ka qenë e vogël dhe e kam bërë unë, është fotografi që është ndër të paktat që na kanë mbetur sepse gjatë burgosjes së Lutës të gjitha fotografitë dhe kasetën e parë, edhe ato që i kam pasur na i kanë marrë pustheti i Serbisë”.
“Kjo është fotoja e vetme që kemi diskutuar, kjo foto është gjetur. Është fotoja e vetme që ia kanë dhënë Lutës, ndoshta për me i bë presion dhe i kanë thënë ‘shikoje edhe një herë këtë foto se vajzën tënde më s’e sheh’. Kjo foto na kthen në ëndërr të keq, na kthen për një kahje tjetër”.
Ndërkohë, ish-kryetari i Gjilanit foli edhe për vështirësitë dhe rreziqet që kishin qenë atëkohë për shkak të regjimit serb.
Madje, ai tregoi edhe për vdekjen e disa prej shokëve të tij nga ai sistem, që kishin përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike.
“Në fotografinë e dytë, është babi im, i cili ka ndërruar jetë para 7 vitesh. Është hero i Kosovës për krejt atë kontribut dhe angazhim që e ka bërë në emigracion, por edhe trashëgimtar i të parëve tonë që kanë qenë kryengritës. Unë jam gjenerata e katër që përfaqësoj këtë angazhim familjar në kuadër të kauzave politike”, u shpreh Haziri.
Krejt në fund, rasti i cili e emocionoi Hazirin gjatë emisionit, ndërsa u përlot, theksoi se ishte shumë i vështirë.
“Rasti është i vështirë duke përfshirë edhe shokët e mi, që kanë vdekur për shkak që s’i kanë përballuar burgjet. Ndoshta për herë të parë një thyerje morale, por është e vërtetë, këtë fotografi ma kanë pru kur kam qenë në qeli. Kam qenë i izoluar. Ka qenë një situatë, kur ne kemi përballuar edhe duke shpresuar në të njëjtën kohë”, tha Haziri.