Ukraina po vazhdon të përballet me agresionin rus.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën se mund të duhen dekada derisa Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe propozoi krijimin e një organizate të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.
Gjatë fjalimit në Strasburg në Ditën e Evropës, Macron tha se “të gjithë ne e dimë shumë mirë se procesi për anëtarësimin [e Ukrainës] do të marrë disa vite, në fakt ndoshta disa dekada”.
Këto komente ai i bëri pasi presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se planifikon që të japë në qershor opinionin për kërkesën e Ukrainës që t’i bashkohet bllokut.Sapo të jepet statusi i shtetit kandidat, procesi për anëtarësim në BE zakonisht merr kohë disa vjet, pasi kërkohet vendim unanim i të gjitha shteteve anëtare, por edhe shtetet aspiruese duhet të plotësojë të gjithë kapitujt negociues të anëtarësimit.
Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, liderët e BE-së kanë thënë se do të tentojnë të përshpejtojnë procesin e anëtarësimin e Ukrainës në bllok.
Deri më tani, Ukraina ka vetëm Marrëveshjen e Asoocimit me BE-në, e cila mëton që të hapë tregjet e shtetit dhe ta sjellë atë më pranë Evropës.
Megjithatë, Macron tha se një procedurë e përshpejtuar për Ukrainën do të çonte në uljen e standardeve, ide të cilën ai e kundërshton.“Bashkimi Evropian, duke pasur parasysh nivelin e integrimit dhe ambicien, nuk mund të jetë e vetmja mënyrë për të strukturuar kontinentin evropian në terma afatshkurtër”, tha ai.
Në vend të kësaj, Macron propozoi atë që e quajti “Komunitet Politik Evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.
“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”, tha Macron.
Presidenti francez shtoi se anëtarësimi në këtë organizatë të re, megjithatë, nuk do të garantonte një anëtarësim të ardhshëm në BE.