
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar shkëmbimin tregtar edhe gjatë vitit që shkoi, megjithatë bilanci i tregtisë mbetet dukshëm në favor të importeve.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se deficiti tregtar në këmbimin e mallrave me SHBA-në është rritur me 21.9 për qind krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 81.8 milionë euro.
Sipas raportit të ASK-së, eksportet e Kosovës drejt SHBA-së gjatë vitit 2025 arritën vlerën e 24.4 milionë eurove, ndërsa importet nga SHBA-ja u regjistruan në 106.3 milionë euro. Si rezultat, mbulueshmëria e importeve nga eksportet ra në 23.0 për qind, raporton Gazeta10.

Raporti tregon se eksportet kanë shënuar rënie prej 38.3 për qind në krahasim me vitin 2024, ndërsa importet kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, me një rënie të lehtë prej 0.4 për qind. Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e deficitit tregtar.
Në vitin 2024, deficiti tregtar mes Kosovës dhe SHBA-së ishte 67.1 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2025 ai u rrit në 81.8 milionë euro, duke shënuar një përkeqësim prej 21.9 për qind.
Të dhënat e publikuara nga ASK-ja pasqyrojnë sfidat që vazhdon të ketë ekonomia e Kosovës në rritjen e eksporteve drejt tregut amerikan, ndërsa niveli i lartë i importeve vazhdon të ndikojë në zgjerimin e hendekut tregtar mes dy vendeve. /GAZETA10/