Mahmuti alarmon, logoja e 30-vjetorit të UÇK-së nuk i përket Lëvizjes Popullore të Kosovës

21:38 | 21 November 2024
mahmuti-alarmon,-logoja-e-30-vjetorit-te-uck-se-nuk-i-perket-levizjes-popullore-te-kosoves

Ish-përfaqësues politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti përmes një postimi në Facebook tha se veprimtarët e moçëm e dinë fare mirë se logoja e LPK-së që siç tha ai, figuron në panon e publicitetit për “30-vjetorin e UÇK-së” nuk është logo e asaj Lëvizjeje Popullore të Kosovë që ka themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por u shpreh se është logo e krijuar pas përfundimit të luftës nga Emrush Xhemaili, Gafurr Elshani, Ilaz Kadolli dhe veprimtarë të tjerë që siç tha, deshën të garojnë si LPK, në zgjedhjet parlamentare dhe në ato për pushtet vendor në Kosovën e lirë.

Të krijosh një logo për të plotësuar kushtet e vendosura nga Këshilli Qendror Zgjedhor, për të garuar për pushtet, Mahmuti u shpreh se ishte e drejtë e atyre ish-anëtarëve të LPK-së që deshën të kërkojnë besimin e qytetaëve të Kosovës.

“Mirëpo është fakt se të njëjtët ish-veprimtarë të LPK-së që krijuan  subjektin politik të pasluftës, LPK-në, vendosën ta transformojnë në Parti Socialiste të Kosovës dhe, rrjedhimisht, pas këtij transformimi edhe logoja e LPK-së së krijuar enksa për zgjedhje u zëvendësua me logon e re të Partisë Socialiste të Kosovës. Fati i Partisë Socilaiste të Kosovës dihet: më 26 prill 2013 ajo iu bashkua Lëvizjes Vetëvdendosje”.

“Nëse askush nuk e ka kontestuar të drejtën e Emrush Xhemajlit, Gafurr Elshanit, Ilaz Kadollit dhe veprimtarëve të tjerë të krijojnë një logo për gara politike, është tërësisht e padrejtë të futet si kontrabandë logoja e tyre dhe të prezantohet si logo e asaj Lëvizjeje Popullore të Kosovës që themeloi Ushtrinë Çlirtimtare të Kosovës”.

“Futja kontrabandë e kësaj logoje në rastin e 30-vjetorit të emërtimit të UÇK-së është përpjekje për të faklsifikuar historinë, në të njëjtën shkallë siç është falsifikim pretendimi i disave se gjoja në këtë datë është themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa i përket aspekteve të tjera, më gjërësisht kam sqaruar në librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”, ka shkruar tutje Mahmuti.

Komento: