Maignan e humb Botërorin, portieri i Milanit do të mbetet jashtë deri në vitin e ardhshëm
Mike Maignan nuk do të paraqitet në Kampionatin Botëror “Katar 2022” për shkak të një lëndimi.
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka bërë të ditur se portieri francez do të mbetet jashtë fushës deri në janar të vitit të ardhshëm për shkak të një lëndimi në këmbë.
27-vjeçari kishte pësuar lëndim më 22 shtator, në ndeshjen me Kombëtaren e Francës kundër Austrisë në Ligën e Kombeve.
Pas rikthimit te klubi i Milanit, ai përsëri ndjeu dhimbje në stërvitje. Kësisoj, koha e rikuperimit të tij do të zgjasë deri në fillim të vitit tjetër.
Kështu, Maignan do të humbasë mundësinë për të qenë pjesë e “Gjelave” në Kampionatin Botëror.
Kujtojmë se Botërori i këtij viti do të mbahet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor në Katar.
Në sezonin aktual në Serie A, Mike Maignan u paraqit në 7 ndeshje dhe pësoi 8 gola.