Makerspace Innovation Center Prizren prezanton 10 startupet përfituese të programit “Idea to Scale”

20:11 | 24 Janar 2024
makerspace-innovation-center-prizren-prezanton-10-startupet-perfituese-te-programit-“idea-to-scale”

Organizata Makerspace Innovation Center Prizren ka lansuar kohortën e dytë të programit “Idea to Scale” duke nënshkruar kontratat me ekipet përfituese, të cilët janë përzgjedhur përmes një procesi të hapur profesional duke iu ofruar mentorim, hapësira pune, grante, rrjetëzim e mundësi të shumta për zhvillimin e tyre.

Ky program është kthyer në një platformë për nxitjen e inovacionit dhe kultivimit të një fryme të ndërmarrësisë, ku marrin jetë idetë biznesore të të rinjve vizionarë në qytetin e Prizrenit.

Në hapje të programit, Drejtori Ekzekutiv i Makerspace Innovation Center Prizren, Enis Qafëleshi theksoi se “Kjo iniciativë është vizion i përbashkët për mbështetje, zhvillim dhe ngritje të kapaciteteve të të gjithë ndërmarrësve që synojnë të sjellin në jetë idetë e tyre për biznes”.

Në anën tjetër, këto ekipe e nisën sesionin e parë mentorues mbi temën “Idea Validation”, ku u diskutuan temat si “Design Thinking – Empathize, Define and Ideate, Test and Prototype” dhe “Validation”, informacione kyçe për zhvillimin dhe ideimin e bizneseve.

Mentori i temës, Alim Halimi ndau eksperiencën e tij shumëvjeçare me startupe, duke vënë në pah rëndësinë e validimit të idesë. “Për me pasë një validim efektiv të ideve, startupet është më mirë që, nga fillimi i ecurisë së projektit të tyre deri në fund, të jenë në kontakt shumë të ngushtë me përdoruesit e tyre potencialë, në mënyrë që të marrin feedback, informata dhe pëlqime prej përdoruesve në mënyrë më të shpeshtë. Ajo u mundëson startupëve që edhe reiterimin dhe zevillimin e ideve të tyre ta kenë sa më të lehtë, më të thjeshtë dhe në faza më të shpeshta”, ka thënë ai.

Disa nga përfituesit treguan mbi pritjet dhe ndikimin që do ta sjellë ky program në udhëtimin e biznesit të tyre.

Arianit Bobaj, themelues i Adventure Kosova, platformë digjitale e cila shërben si marketplace për shitjen e paketave turistike në segmentin e turizmit malor ka treguar përvojën e tij.

“Momentalisht jam në fazën e inkubimit në kuadër të programit Idea to Scale, dhe ndihem shumë entuziast për të ardhmen e projektit tim. Pres që mentorimi të më ndihmojë jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e idesë sime në kapacitet global. Sot kemi pasur mentorin e parë dhe jam shumë i kënaqur me përzgjedhjen e tij. Më pëlqen se sa mendjehapur është mentori dhe se sa shumë interaktiv e bën procesin e shpjegimit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Ensar Muriqi dhe Zeynep Lika po ashtu janë përzgjedhur të jenë pjesë e Programit me idenë e tyre Kiki Finds. “Fillimisht duam të falënderojmë Makerspace Innovation Center Prizren për mundësitë e panumërta, dhe ndihmën në zhvillimin e idesë sonë. Kompania jonë quhet Kiki Finds dhe targeti ynë kryesor janë bizneset lokale, të cilët bëjnë shitje përmes platformave online, ne duam që të gjitha këto biznese t’i mbledhim në Kiki Finds me idenë që të krijohet një “Marketplace” i veçantë me të gjitha kategoritë e bizneseve”, kanë thënë ata.

Derisa ekosistemi i ndërmarrësisë vazhdon të zhvillohet më tej në Prizren, ndikimi që sjellë ky program i inkubimit të bizneseve për ndërtimin e startup-ëve të qëndrueshëm dhe të suksesshëm do të jetë i pashmangshëm.

Ky program implementohet nga Makerspace Innovation Center Prizren, në ITP Prizren në kuadër të Digital Transformation Center dhe përkrahet nga GIZ Kosovo, Komuna e Prizrenit dhe Swiss EP Kosovo.

Komento: