Maldini thotë se synimi i Milan është rikthimi në Ligën e Kampionëve.
E shkuara dhe e tashmja e Silvio Berlusconit në futboll, Milani dhe Monza u përballën në një ndeshje miqësore pasditen e djeshme, ndërsa ish kryeministri italian nuk mundi të ishte i pranishëm, pasi është i prekur nga koronavirusi.
Kuqezinjtë ia dolën të fitojnë me rezultatin 4-1, në një sfidë ku Stefano Pioli aktivizoi shumë emra të rinj, për faktin që një pjesë e mirë e titullarëve janë të grumbulluar më përfaqësueset respektive.
Calabria hapi serinë e golave në minutën e 6’, ndërsa Monza riktheu baraspeshën me Finotton në të 22-ën. Më pas ishin Daniele Maldini, Kalulu dhe Colombo që shënuan edhe tre herë të tjerë për kuqezinjtë, duke vulosur suksesin.
Në përfundim të ndeshjes, Drejtori Teknik i Milanit Paolo Maldini u pyet në lidhje me shanset për të rikthyer te kuqezinjtë mesfushorin francez Tiemoue Bakayoko, i cili nuk bën më pjesë në planet e Chelseat.
“Po ndjekim me vëmendje pistën Bakayoko, por edhe të tjera. Nëse do të kemi mundësi të përforcohemi edhe më shumë, do ta bëjmë patjetër, megjithatë deri tani kemi lëvizur mirë dhe kemi kompletuar organikën, ndaj mund të punojmë me qetësi. Synimi për sezonin e ri është të rikthehemi të luajmë në Ligën e Kampionëve, ndaj duam t’ia krijojmë të gjitha kushtet Piolit”, u shpreh Maldini.