Mali i Zi – Kosova, ky do të jetë gjyqtari i ndeshjes

16:00 | 04 Qershor 2019

Është përcaktuar gjyqtari për ndeshjen Mali i Zi – Kosova.

Daniele Orsato do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes mes Malit të Zi dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Evropianit 2020.

Më 7 qershor, ‘Dardanët’ udhëtojnë në Podgoricë për të zhvilluar duelin e dytë në kuadër të grupit A, aty ku do përballen me malazezët, në krye me kapitenin Fatos Beqiraj.

UEFA i ka besuar ndarjen e drejtësisë gjyqtarit të njohur italian Daniele Orsato, i cili do ndihmohet nga Lorenzo Manganelli dhe Giorgio Peretti.

Orsato ishte gjyqtari i katërt në finalen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Liverpool dhe Tottenham, e cila u fitua 2-0 nga ‘Të Kuqtë’.

Kosova dy ndeshjet e qershorit i luan si mysafir, ku më 7 qershor luan ndaj Malit të Zi pa praninë e tifozëve ndërsa pas tre ditëve udhëton në Sofje për t’u takuar me Bullgarinë.

Skuadra e Bernard Challandes ka të zhvilluar vetëm një ndeshje në grupin A, barazimin 1-1 ndaj bullgarëve në ‘Fadil Vokrri’.

Komento: