Mali i Zi voton sot për presidentin e ri

15:03 | 19 Mars 2023

Mali i Zi voton sot për presidentin e ri, janë hapur qendrat e votimit.

Qytetarët e Malit të Zi votojnë këtë të diel për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Në Qendrën e votimit në Shkollën “Mahmut Lekiq” që nga ora 7:00 është hapur qendra e votimit në vendbanimin me shumicë shqiptare.

Presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, nga Partia Demokratike e Socialiste është duke garuar kundër gjashtë rivalëve tjerë, përfshirë katër anëtarë të kampit pro-serb.

Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe rezultatet e para pritet të dalin në mesnatë.

Duke pasur parasysh numrin e madh të garuesve dhe shpërndarjen e votës, emri i fituesit besohet se nuk do të mund të bëhet i ditur tani, por në balotazhin që mund të mbahet më 2 prill.

Millo Gjukanoviç, 61-vjeçar, ka mbajtur pozitat më të larta në Qeverinë e Malit të Zi në tri dekadat e fundit.

Ai ka shërbyer gjashtë herë si kryeministër, përkatësisht prej vitit 1991. Fitorja në këto zgjedhje, do t’ia siguronte atij mandatin e tretë si president.

Ai e ka shtyrë vendin drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në NATO më 2017.

Kandidatët tjerë në garën për president janë: kreu i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq, Jakov Millatoviq nga Evropa Tani, Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq -Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.

Mali i Zi ka rreth 625.000 banorë. Të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale kanë 542.154 qytetarë.

Komento: