Maliqi: Shteti s’merr masa nëse familja s’e dërgon fëmijën me aftësi të kufizuara në shkollë

19:56 | 21 Korrik 2023
maliqi:-shteti-s’merr-masa-nese-familja-s’e-dergon-femijen-me-aftesi-te-kufizuara-ne-shkolle

Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, ka thënë se në Kosovë, vetëm 12 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara vijojnë të shkollohen.

Kjo, pasi sipas Maliqit, institucionet përkatëse nuk ndërmarrin asnjë masë ndaj familjeve që nuk i dërgojnë në shkollë fëmijët me aftësi të kufizuara, pasi do të obligoheshin që t’i përmbushnin kushtet e duhura për ta.

“Në bazë të ligjit, një fëmijë që s’ka kufizime, nëse familja nuk e dërgon në shkollë, institucionet përkatëse ndërmarrin masa”.

“Ndërsa, ndaj një familje që ka një fëmijë me aftësi të kufizuara, nuk ndërmerret asnjë masë. Kjo nuk është e drejtë sepse nëse ndërmarrin masa institucionet ndaj asaj familjeje që e ka fëmijën me aftësi të kufizuara, atëherë ata obligohen t’ia përmbushin kushtet”, tha Maliqi në Klan Kosova.

Tutje, ai foli edhe për sfidat, ku tha se janë të shumta, duke filluar nga asistenti personal, qasja, transporti e faktorë të tjerë.

“Nëse e marrim parasysh numrin e fëmijëve të përfshirë në arsim, janë vetëm 12 për qind. Asistentët do t’i mbështesin vetëm fëmijët që janë të përfshirë në shkolla”.

“Mendojmë se kjo [Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara] do ta rregullojë këtë dhe personat me aftësi të kufizuara, ta kenë një status të personit me aftësi të kufizuar”, tha ai.

Komento: