
Kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka shkruar se Malisheva për të tretin vit radhazi po përballet me mungesë të energjisë elektrike.
Ai, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se kjo është goditje e rëndë për qytetarët e kësaj komune, mërgimtarët e bizneset.
Kastrati i ka bërë thirrje kryeministri Albin Kurti dhe KEDS-it që ta trajtojnë urgjentisht këtë çështje.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë të Komunës sonë,
Ky është viti i 3-të radhazi që pikërisht në stinën e dimrit, Malisheva bashkë me qytetarët e saj, mërgimtarët dhe bizneset, po marrin goditjen më të rëndë të mundshme, atë të mungesës së energjisë elektrike, madje me ndërprerje të pakontrolluara dhe pa asnjë njoftim paraprak mbi orarin e reduktimeve.
I bëj thirrje kryeministrit, KEDS-it dhe mekanizmave tjerë të nivelit qendror, që shqetësimin e Komunës së Malishevës për këtë trajtim kaq të pa ndershëm që po u bëhet qytetarëve tanë, që edhe në prag të vitit 2024, vetëm komunën tonë po e lenë në terr, të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që Malisheva të furnizohet me energji elektrike, ashtu si çdo komunë e Kosovës.
Kjo qasje e juaja karshi këtij problemi kaq të madh për qytetarët tanë, është hiç më pak se diskriminim e poshtërim, që Malisheva dhe banorët e saj, historikisht nuk i kanë pranuar, madje as nuk i harrojnë lehtë.
Ekrem Kastrati
Kryetar i Komunës së Malishevës