Malishevë: 10 fëmijët pa prindër mbesin pa kulm mbi kokë, iu dogj shtëpia

14:08 | 24 March 2019

Një ngjarje mjaftë e rëndë ka ndodhur në Malishevë.

Shtëpia dy katëshe e familjes Bytyçi nga fshati Kërvasari e komunës së Malishevës është djegur mëngjesin e së shtunës. 10 anëtarët e saj që janë të papunë dhe ballafaqohen me probleme të tjera të natyrës shëndetësore kanë mbetur pa kulm mbi kokë, kjo për shkak të zjarrit që kaploi shtëpinë e tyre.

Dyshohet se prej oxhakut iu vu flaka katit të dytë të shtëpisë dhe kulmit. Shtëpia është shkatërruar në tërësi, ndërsa askush nga banorët nuk ka pësuar lëndime trupore. Ata po strehohen te familjarët e tyre në fshat. Komuna u ka premtuar zgjidhje.

Janë dhjetë vëllëzër e motra nga mosha 35 vjeçare e poshtë që kanë mbetur pa shtëpi mëngjesin e ditës së shtunë. Atyre u kanë vdekur prindërit kohë më parë, të gjithë janë të papunë, ndërsa një prej anëtarëve vuan edhe nga epilepsia. Shtëpia u djeg prej zjarrit që dyshohet se është shkaktuar nga një oxhak.

Në vendin e ngjarjes kanë dalur zjarrfikësit, policia dhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Ky i fundit ka premtuar zgjidhje për këtë familje. Begaj tha se familja po strehohet në fshat te të afërmit e tyre derisa komuna t’ua bëjë një zgjidhje banimi atyre.

“Dje ka ndodhur rasti te një familje 10 anëtarëshe të cilët janë edhe të papunë. Jemi shku mi vizitu…nuk ka të lënduar…po përpiqemi mi dalë në ndihmë sa më shpejt”, tha Begaj të dielën.

Shtoi se ky rast është i rëndë pasi familja janë pa kushte dhe pa punë.

“Në fshat thanë se do ta strehojnë për dy –tri ditë…Shtëpia ka qenë pak e vjetër, prej oxhakut dyshohet se ka ndodhur zjarri. Kryetari i fshatit iu ka dërguar edhe produkte ushqimore”, përfundoi Begaj.

Ndërsa, kryetari i fshatit Kërvasari, Besnik Bytyçi, tha se shtëpia është shkatërruar plotësisht dhe përveç kësaj, dikush nga familjarët e saj ka probleme shëndetësore.

“10 anëtarë i ka familja që i është djegur shtëpia. Shtëpia e tyre është e shkatërruar komplet…janë të papunë, dikush prej familjarëve vuan nga epilepsia”, tha Bytyçi të dielën.

Se shtëpia u dogj prej oxhakut e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, tha se nga zjarri nuk është lënduar askush, por ka dëmeve materiale, vlera e të cilave nuk dihet ende.

“Me datë 23.03.2019 në ora 07:45 , S.P. Malishevë është informuar për një rast të zjarrvënies në fshatin Kërvasari të Malishevës. Policia, së bashku me njësinë e zjarrfikësve, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë kontaktuar ankuesin e lartcekur, me çast kane vërejtur se aty ishte duke u djegur një shtëpi banimi. Është djegur çatia e saj në tërësi dhe kati i dytë i shtëpisë”, tha Podrimaj.

Podrimaj tha se pas marrjes së informacionit, zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, ndërsa policia po merret me këtë rast.

“Zjarri dyshohet te jetë shkaktuar nga oxhaku i shtëpisë. Lidhur me rastin, pos dëmeve materiale, lëndime në njerëz nuk ka. Tash për tash nuk dihet vlera e dëmit. Zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Rasti është duke u hetuar nga sektori i hetimeve në stacionin policor në Malishevë”, përfundoi ajo.

Ndryshe, raste të zjarrëvënies së shtëpive janë raportuar edhe më parë në Kosovë. Përveç zjarrit të shkaktuar nga oxhakët, janë raportuar edhe zjarrvënënie tjera të shkaktuara nga bombolat e gazit, instalimi i dobët i rrymës, etj.

Komento: