Mallorca ia ka vendosur çmimin Vedat Muriqit.
Klubi spanjoll është i gatshëm ta shesë yllin kosovar për 20 milionë euro.
Galatasaray duket se është klubi më i interesuar për shërbimet e futbollistit prizrenas, i cili shkëlqeu në një vit e gjysmë eksperiencë në La Liga, shkruan Gazeta Express.
Gjiganti turk është në pritje të vendimit të Mauro Icardit, i cili ishte i huazuar në këtë ekip nga Paris Saint-Germaini në sezonin e fundit.
Në rast se sulmuesi argjentinas nuk qëndron më në Turqi, atëherë Galata do t’i vihet pas përfaqësuesit kosovar, shkruan mediumi turk “Fanatik”.
Ish-futbollisti i Fenerbahçes dhe i Lazios i realizoi 16 gola dhe i bëri 4 asistime në të gjitha garat në sezonin 2022/23.
Për këtë arsye, klubi ishullor spanjoll e vlerëson 20 milionë euro kartonin e Muriqit, i cili ndërkohë pëlqehet edhe nga klubet tjera spanjolle, por edhe nga ato italiane dhe angleze.
Normalisht, kjo do të ishte një shifër e lartë për gjigantin turk, i cili nuk është i gatshëm t’i paguajë më shumë se 10 milionë euro për “Piratin”, shkruan “Gazeta Express”.
Muriqi ndihet mjaft mirë në Spanjë, ku është mjaft i dashur nga tifozët e Mallorcas, por në të kaluarën e ka pranuar se Turqia mbetet shtëpi e tij.