Mallorca e ka gjetur zëvendësuesin e Muriqit.
Vedat Muriqi është njëri prej lojtarëve më në formë të Mallorcas në këtë sezon.
Trajneri Javier Aguirre e ka një pikë referimi sulmuesin kosovar, i cili këtë sezon deri tash i ka realizuar 13 gola dhe i ka bërë tri asistime në La Liga, shifra këto mjaft të rëndësishme për ekipin ishullor.
Dhe, viti i mbarë që e kishte futbollisti prizrenas ka bërë që klubet tjera të ngjallin interesim për “Piratin”, shkruan Gazeta Express.
Përfaqësuesi kosovar ka kontratë me Mallorcan deri në vitin 2027 dhe ai e ka shfaqur gjithmonë dëshirën për të qëndruar në klubin aktual.
Sidoqoftë, nëse arrin një ofertë që e përmbush kërkesën e klubit spanjoll prej 30 milionë eurosh, të vendosur në klauzolë, Mallorca do ta merrte në konsideratë një shitje eventuale të tij.
Përballë lamtumirës së mundshme të 29 vjeçarit, Mallorca tashmë është vënë në gjah të zëvendësuesit të tij.
Mediumi spanjoll “Estadio Deportivo” raporton se klubi spanjoll tashmë e ka veçuar një pasardhës të mundshëm të Muriqit.
Bëhet fjalë për sulmuesin e FC Andorra, Sinan Bakis.
I lindur në Troisdorf (Gjermani) dhe shtetas turk, Bakis mbërriti në FC Andorra në afatin kalimtar të verës së kaluar dhe i ka shënuar 12 gola në 33 ndeshje të ligës këtë sezon, shkruan “Gazeta Express”.
Bakis dhe Muriqi kanë disa ngjashmëri, pasi të dy janë lojtarë të gjatë, e po ashtu edhe në fund të prillit e kanë ditëlindjen dhe i kanë nga 29 vjeç.
Bakis ka kontratë me klubin aktual deri më 30 qershor dhe Mallorca s’do të kishte nevojë ta blejë atë, por vetëm ta përgatisë një rrogë për të.