Interi dhe Manchester United po vazhdojnë negociatat në lidhje me Andre Onana dhe raportohet se një marrëveshje nuk është larg arritjes.
“Djajtë e Kuq” janë në kërkim të një portieri të ri për të ardhmen afatgjate, pasi nuk kanë rinovuar kontratën me David de Gean, i cili ka mbetur futbollist i lirë që nga 30 qershori.
Man United e ka identifikuar 27-vjeçarin si objektivin kryesor dhe ka paraqitur tashmë dy oferta tek Interi, me ofertën e përmirësuar që në total është rreth 50 milionë euro duke përfshirë edhe bonuset.
“Sky Sports Italia” ka raportuar se Interi ende kërkon 60 milionë euro për portierin nga Kameruni, por besohet se mund të pajtohet me një ofertë të re me vlerë rreth 55 milionë euro në total.
Klubi anglez është në kontakt të ngushtë me “Nerazzurrët” dhe indikacionet aktuale sugjerojnë se një marrëveshje mund të arrihet në fazat e para të javës së ardhshme.
Andre Onana iu bashkua Interit si futbollist i lirë verën e kaluar dhe shpejt zuri vendin e parë nën drejtimin e Simone Inzaghit.
Ai me klubin nga Milano ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027.