
Manchester United ka bërë një lëvizje të parë për të shqyrtuar mundësinë e emërimit të Didier Deschampsit në postin e trajnerit, por francezi nuk ka ndërmend të nxitohet dhe dëshiron të analizojë të gjitha alternativat përpara se të marrë një vendim.
Sipas gazetarit Santi Aouna, drejtuesit e klubit anglez kanë kontaktuar me trajnerin 57-vjeçar për të vlerësuar interesimin e tij për një kalim të mundshëm në “Old Trafford”. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur ofertë zyrtare dhe as marrëveshje mes palëve.
Deschamps është pa angazhim që nga përfundimi i aventurës së tij 14-vjeçare në krye të kombëtares së Francës, pas përfundimit të Kupës së Botës 2026. Tashmë, ai po shqyrton mundësitë për kapitullin e radhës në karrierën e tij si trajner.
Interesimi i Manchester Unitedit vjen në një periudhë pasigurie rreth pozitës së trajnerit, ndërsa emri i francezit ishte përmendur edhe më herët në mesin e kandidatëve të mundshëm. Megjithatë, raportimet e fundit të Aounas flasin për një kontakt të drejtpërdrejtë nga klubi anglez.
Unitedi nuk është klubi i vetëm që mund të hyjë në garë për shërbimet e Deschampsit. Në fund të tetorit, mediat franceze raportuan se edhe Juventusi po e konsideron atë si një mundësi, në rast se vendos të ndryshojë trajnerin, për shkak të pasigurisë rreth vazhdimësisë së Luciano Spallettit.
Juventusi përfaqëson një destinacion të veçantë për Deschampsin, pasi francezi ka qenë pjesë e klubit italian si futbollist dhe trajner. Kjo e bën skuadrën nga Torino një tjetër alternativë që mund të peshojë në vendimin e tij.
Ndërkohë, në prapavijë mbetet edhe Real Madridi. Gjatë verës së kaluar, Deschamps ishte njëri prej emrave të lidhur me pankinën e klubit madrilen dhe, sipas raportimeve të publikuara në qershor, kishte pranuar se gjatë karrierës kishte marrë disa oferta, pa dhënë detaje për bisedimet me gjigantin spanjoll.

Deschamps refuzoi një ofertë multimilionëshe
Në fund, Real Madridi vendosi t’ia besojë drejtimin Jose Mourinhos. Megjithatë, emri i Deschampsit u rikthye në diskutime në fund të tetorit, kur disa media e përmendën si një kandidat të mundshëm për ta zëvendësuar portugezin në rast se rezultatet nuk i bindin drejtuesit madrilenë.
Për momentin, interesimi i Manchester United dhe Juventusi mbetet në fazën e shqyrtimit, ndërsa nuk ka negociata të konfirmuara me Real Madridin./Telegrafi/