
Manchester United mund të përballet me një tjetër goditje të madhe financiare nëse drejtuesit e klubit vendosin se emërimi i Michael Carrick ishte një gabim.
“Djajtë e Kuq” siguruan kualifikimin në Ligën e Kampionëve me Carrickun si trajner të përkohshëm sezonin e kaluar, përpara se ish-mesfushori i klubit të emërohej si pasues i përhershëm i Ruben Amorimit.
Unitedi e shkarkoi Amorimin në janar, vendim që rezultoi pozitiv falë formës së shkëlqyer në pjesën e dytë të sezonit. Carrick e ngriti skuadrën nga zona jashtë Ligës së Kampionëve deri në vendin e tretë, duke siguruar edhe rikthimin në garën elitare evropiane.
Rezultatet financiare të Unitedit zbuluan se shuma përfundimtare e paguar për Amorimin dhe stafin e tij arriti në rreth 10 milionë euro.
Amorimi kishte edhe 18 muaj të mbetur në kontratën e tij dhe Unitedi do të ishte detyruar të paguante rreth 19 milionë euro për pjesën e mbetur të kontratës, nëse ai nuk do të kishte gjetur shpejt një punë të re. Portugalezi iu bashkua Milanit në qershor, duke bërë që shuma e kompensimit të ulej ndjeshëm.
Për Carrickun, megjithatë, sezoni i ri nuk ka nisur me të njëjtin optimizëm si ai i kaluar. Spekulimet për të ardhmen e tij po shtohen dhe raportohet se shkarkimi i tij mund t’i kushtojë Unitedit një shumë të ngjashme.
Carrick nënshkroi një kontratë dyvjeçare gjatë verës dhe raportohet se përfiton rreth 8 milionë euro në vit.
Kjo e bën atë një prej trajnerëve më të paguar në Ligën Premier dhe një trajner mjaft të kushtueshëm për t’u shkarkuar.