Manchester City e blen mbrojtësin e Benficës për 70 milionë euro.
Manchester City ka arritur marrëveshje në vlerë 70 milionë euro për ta blerë mbrojtësin e Benficës, Ruben Dias, njofton klubi portugez. Në marrëveshje përfshihet edhe Nicolas Otamendi, i cili i bashkohet Benficës nga City.
City do t’ia paguajë Benficës 68 milionë euro fillimisht, ndërsa 2 milionë euro të tjera në formë bonusesh dhe u konfirmua nga vetë klubi portugez të dielën, pas humbjes së skuadrës së Pep Guardiolës 5:2 kundër Leicester City, transmeton Express.
Në një komunikatë për media, Benfica njoftoi se po ashtu janë pajtuar me City edhe për blerjen e Otamendit për 15 milionë euro.
Të dy marrëveshjet janë në finalizim e sipër, sipas klubit.
Guardiola ka qenë në kërkim të një qendërmbrojtësi të djathtë, pas largimit të Vincent Kompany vitin e kaluar.
Dias ka mahnitur gjatë tri sezoneve me Benficën dhe ishte edhe në skuadrën e Portugalisë në Kupën e Botës 2018.