Mane e humbi kontrollin si rezultat i formës së dobët që po e kalon duke e përgjakur Sanen

11:50 | 13 April 2023

Transferimi i Sadio Manes në Bayern Munich ishte konsideruar një transferim “bombë” i bërë nga gjiganti bavarez.

Por, ish-sulmuesi i Liverpoolit ka dështuar t’i arsyetojë pritshmëritë pasi ka shfaqur formë të zbehtë në “Allianz Arena”.

Edhe pse njihet si një person kokulur, i thjeshtë dhe modest, futbollisti afrikan e qiti së fundmi nga vetja një mllef të akumuluar qe një kohë.

Futbollisti senegalez e bëri një veprim të turpshëm pas ndeshjes me Manchester Cityn.

Sulmuesi i rrezikshëm e transferoi në sulm fizik fjalosjen me shokun e repartit, Leroy Sane.

Gjithçka nisi pas një topi që ish-sulmuesi i Manchester Cityt nuk ia kaloi Manes, duke vendosur që të gjuajë vetë, drejt e në duart e portierit Ederson.

Pas lojës, dyshja e sulmit i vazhduan llafet, ndërsa situata doli në kontrolli dhe Mane e qëlloi me grusht në fytyrë Sanen, duke bërë që nga buza e sulmuesit gjerman të rrjedhë gjak.

U desh intervenimi i bashkëlojtarëve për t’i qetësuar gjakrat, ndërsa Sane duke dalë nga dhomat e zhveshjes në drejtim të autobusit të klubit, u mundua ta fshihte këtë incident që i kishte ndodhur, për të mos iu parë fytyra.

Pra, të gjithë kanë mbetur të shokuar dhe gojëhapur me veprimin e 31 vjeçarit, i cili nuk ka shkaktuar kurrë më parë probleme.

Megjithatë, koka e tij është e mbushur me presion nga akuzat për formën jo të mirë dhe ai shpërtheu ndaj 27 vjeçarit.

Bayerni është duke e menduar dënimin që do t’ia japë futbollistit afrikan në ditët në vazhdim, ndërsa gjiganti bavarez ka refuzuar të deklarohet për momentin.

Mane i ka realizuar 11 gola në 32 ndeshje me Bayernin në këtë sezon, shkruan Gazeta Express.

Sane luajti për 90 minuta kundër ish-skuadrës së tij të martën, kurse Mane u inkuadrua në lojë në minutën e 69-të në vend të Jamal Musialas.

City e fitoi këtë ndeshje me rezultat 3:0 në “Etihad Stadium” falë golave të Rodri, Bernardo Silva dhe Erling Haaland.

Komento: