Lista e manipulimeve.
Kosova i ngjall të vdekurit në ditën e zgjedhjeve. Kjo duke i mbajtur emrat e atyre që nuk janë në jetë në listën e votuesve. Njësoj ndodh edhe me ata që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Një pjesë e këtyre dy kategorive e japin votën sa herë mbahen zgjedhje në Kosovë. Keqpërdorimi kësisoj është prezent prej afro 20 vjetësh, porse ende nuk është gjetur formula për t`i dhënë fund këtij manipulimi.
“Po vinë me votu ata që janë dekë, para 1999 e s`po vijmë na prej gurbeti. Të kryme e ki. Aty jem”, ka qenë komenti i një mërgimtari që është përfolur goxha shumë në “Facebook” pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të 6 tetorit, shkruan sot Koha Ditore.
Nëpër rrjete sociale e kafene, shumëkush ka ironizuar pse shteti më i ri evropian ka më shumë qytetarë me të drejtë vote se banorë sipas regjistrimit të vitit 2011. E në listën përfundimtare të votuesve i përfshin edhe qytetarët e vdekur, familjarët e të cilëve kanë dëshmi certifikatat e vdekjes të autoriteteve civile e dëshmitë e autoriteteve fetare.
Kosova ka të gjithë mekanizmat shtetërorë dhe ndihmën e bashkësive fetare, por prapëseprapë qytetarët në çdo proces zgjedhor shohin emrat e të dashurve të ndjerë në listën e votuesve. Ka raste kur raportohet edhe për “ngjalljen” e tyre pasi dikush ka nënshkruar poshtë emrit të tij dhe kundërligjshëm ka hedhur fletëvotimin në kuti. Mbikëqyrësit e shoqërisë civile dyshojnë se përveç neglizhencës së mekanizmave shtetërorë, problemet përsëriten në çdo proces zgjedhor edhe për shkak se subjektet politike mund të përfitojnë vota prej vëzhguesve të tyre të gatshëm për të marrë përsipër rrezikun “për të votuar” për të vdekurit, ose për mërgimtarët që nuk kanë mundësi të votojnë.
E sistemi i drejtësisë, edhe kur i ndëshkon shkelësit e ligjit, i dënon me gjoba simbolike ose me kusht. Keqpërdorimet e kësaj fushe dhe kufizimet burokratike me të cilat përballen mërgimtarët, cenojnë demokracinë edhe ashtu të brishtë të Kosovës, vlerësojnë monitoruesit dhe analistët.
Alarmi evropian
“Mënyra e parë dhe mundësia e parë për keqpërdorim të votës është mospastrimi i listës zgjedhore me vetë faktin që ka njerëz në listë të votuesve që dihet me siguri se nuk do të votojnë, dhe kjo përbën rrezikshmëri të madhe që krejt sistemi të manipulohet, sepse mjafton një nënshkrim në listë të votuesve dhe ai person, kushdo mundet me ba, me pasë të drejtën me votu për shkak të atij nënshkrimi”, thekson Artan Murati, nga organizata joqeveritare KDI, që në tetorin e vitit të kaluar publikoi raportin “Çdo votë duhet të vlejë”.
Aty janë vënë në pah mangësi të shumta, me theks të veçantë mundësitë për keqpërdorim të emrave të qytetarëve të vdekur dhe të mërgimtarëve në listën e votuesve.