Maqedonci: FSK dëshmoi profesionalizëm në stërvitjen “Combat Power 26”, Kosova po forcon kapacitetet mbrojtëse

17:00 | 01 Korrik 2026
maqedonci:-fsk-deshmoi-profesionalizem-ne-stervitjen-“combat-power-26”,-kosova-po-forcon-kapacitetet-mbrojtese

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar (Distinguished Visitors Day – DV Day), në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26”, e cila u zhvillua në poligonin ushtarak të Slunjit në Kroaci.

Përmes një postimi, Maqedonci bëri të ditur se në aktivitet mori pjesë me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anušić, ndërsa vlerësoi se stërvitja dëshmoi gatishmërinë e forcave pjesëmarrëse për të kontribuar në sigurinë dhe paqen.

“Kjo stërvitje dëshmoi qartë gatishmërinë dhe aftësinë e forcave tona për të mbrojtur vendet dhe qytetarët tanë. Mbi 3,000 ushtarakë nga Kroacia, së bashku me qindra pjesëtarë nga vendet aleate dhe partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Slloveninë, Shqipërinë, Portugalinë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Gjeorgjinë, u bashkuan për një qëllim të përbashkët: rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përgatitjen për të kontribuar në sigurinë dhe paqen”, ka shkruar Maqedonci.

Ai theksoi se Kosova u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 ushtarakësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike.

“Jam veçanërisht krenar që Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 45 ushtarakë, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë. Gjatë gjithë stërvitjes, pjesëtarët tanë dëshmuan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë, duke konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes veçoi edhe përparimin e FSK-së në aspektin e kapaciteteve logjistike, duke theksuar se tashmë shërbimet e ushqimit realizohen nga kapacitetet e vetë forcës.

“Një dëshmi e rëndësishme e zhvillimit të kapaciteteve tona është edhe avancimi në fushën e qëndrueshmërisë logjistike, veçanërisht në shërbimet e ushqimit. Deri para pak më shumë se një viti, këto shërbime në FSK realizoheshin përmes operatorëve privatë. Sot kemi ndërtuar kapacitete të plota organike, të cilat jo vetëm që sigurojnë mbështetjen ushqimore për pjesëtarët tanë, por u mundësojnë kuzhinierëve tanë të ofrojnë këtë mbështetje edhe për forcat partnere gjatë stërvitjeve dhe operacioneve të përbashkëta. Ky është një tregues konkret i rritjes së aftësive tona, i vetëqëndrueshmërisë logjistike dhe i pjekurisë institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Maqedonci.

Sipas tij, pjesëmarrja në stërvitje të tilla është dëshmi e avancimit të Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe e gatishmërisë për t’u përballur me sfidat e sigurisë.

“Pjesëmarrja në një stërvitje si ‘Combat Power 26’ nuk është vetëm një angazhim ushtarak. Ajo është dëshmi se Kosova po ecën përpara, po forcon kapacitetet e saj mbrojtëse dhe po bëhet çdo ditë e më e gatshme për t’u përballur me sfidat e sigurisë. Ushtarët tanë po fitojnë përvojë, po rrisin aftësitë profesionale dhe po dëshmojnë se janë plotësisht të denjë për të marrë pjesë në misione dhe aktivitete ndërkombëtare. Ata janë krenaria jonë”, theksoi ai.

Në fund, Maqedonci vlerësoi bashkëpunimin me Kroacinë, duke e cilësuar atë si partneritet të ndërtuar mbi miqësi dhe vlera të përbashkëta.

“Bashkëpunimi ynë me Kroacinë nuk është vetëm strategjik – ai është ndërtuar mbi një miqësi të sinqertë mes dy popujve dhe dy shteteve që qëndrojnë krah për krah përballë sfidave të përbashkëta. Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm, duke kontribuar me përgjegjësi dhe përkushtim për një rajon më të sigurt dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, shtoi ministri në detyrë i Mbrojtjes.

Komento: