Maqedonci insiston se s’ka rizotim, por sqarim për letrën që ia dërgoi KFOR-it për FSK-në në veri

00:08 | 23 January 2025
maqedonci-insiston-se-s’ka-rizotim,-por-sqarim-per-letren-qe-ia-dergoi-kfor-it-per-fsk-ne-ne-veri

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar edhe sot në lidhje me letrën që ia ka dërguar komandantit të KFOR-it, ku thotë se ka sqaruar rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ka siguruar atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës.

Maqedonci tutje thotë se kjo letër ishte sqarim dhe jo rizotim se nuk do të dërgoj FSK-në në veri pa lejen e KFOR-it.

Ai tutje ka thënë se nuk pajtohet me letrën që në vitin 2013 ishte dërguar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, por që janë zotuar se do ta respektojnë.

Shkrimi i plotë i Maqedoncit:

S’ka rizotim, por sqarim

Asgjë të re për publikun nuk paraqet letra dërguar Komandantit të KFOR-it për ngjarjen e 24 Nëntorit të vitit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri të vendit në një cermoni mortore.

Qëllimi i letrës së dërguar është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë. Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ta siguroj atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në veri të Kosovës, ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-Kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës.

E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi.

Përgjegjësi e imja dhe e Komandantit të KFOR-it tani kur veçse ekziston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish Kryeministri Thaçi, është që të sigurojmë njëri-tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar.

Komento: