Maqedonci: Kosova është në rrugën e duhur me pajisjen e 246 raketave “Javelin”

12:49 | 11 Shtator 2024
maqedonci:-kosova-eshte-ne-rrugen-e-duhur-me-pajisjen-e-246-raketave-“javelin”

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se vendi është në rrugën e duhur që të pajiset me sistemin raketor “Javelin”.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ai ka pohuar se deri në fund të këtij viti do të kryejnë këstin e dytë.

“Sa i përket sistemit “Javelin”, Ministria e Mbrojtjes është duke vazhduar me procedurat për prokurimin, pra interferimin e këtyre pajisjeve, sistemeve në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës”.

“Në mars të këtij viti kemi ekzekutuar këstin e parë dhe pagesës për sistemin ‘Javelin’, deri në fund të këtij viti do të ekzekutojmë edhe këstin e dytë për sistemin ‘Javelin’ dhe mund të them me përgjegjësi të plotë se jemi në rrugën e duhur që të kemi këtë sistem në kohën e duhur në inventiarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Maqedonci.

Më 11 janar, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin”, që kap vlerën e 75 milionë dollarëve.

Nëse gjithçka do të shkojë mirë, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i ketë në radhët e arsenalit të vet, 246 raketa anti-tank “Javelin”, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Klankosova.tv

Komento: